Dy vjet më parë, Kaçe u aktivizua ndaj Luksemburgut, në suksesin 2-0. Por, FIFA na e quajti 0-3 për skuadrën mike dhe na gjobiti me 7 mijë franga. Motivi? Kaçe mori të kuq ndeshjen përpara, ashtu si Lediani
Anton Cicani
Ledian Memushaj nuk është grumbulluar nga trajneri i Shqipërisë, Kristian Panuçi, për miqësoren e datës 26 mars përballë skuadrës së Norvegjisë, në “Elbasan Arena” dhe lajmi ka bërë disi çudi ditën e sotme, pasi është zbuluar nga klubi i futbollistit nga Vlora.
Por, ishte thjesht një lënie jashtë brenda rregullores dhe asgjë më shumë. Fakti është që Benevento nuk ishte aspak në dijeni se mesfushori kuqezi, në miqësoren e fundit, atë ndaj Turqisë, mori karton të kuq. Shqipëria fitoi 3-2 në Stamboll teksa Memushaj mori dy të verdhë brenda 41 miniutash, edhe pse më pas kërkoi falje. Madje, vetë Panuçi ishte ai që e fali dhe tha se janë gjëra që ndodhin, edhe pse duhet që lojtarët të kenë kujdes.
Gazeta “Sport Ekspres” ka kontaktuar me burime pranë FSHF-së dhe i është konfirmuar se mosthirrja e Memushajt ka të bëjë sigurisht me kartonin e kuq, pra që smund të luajë, sepse nëse në raportin e delegatit të FIFA-s do të shkruhej kjo gjë, atëherë rrezikojmë humbje në tavolinë 0-3 dhe një gjobë të majme, rreth 7 apo 8 mijë franga.
Precedenti “Kaçe” dy vjet më parë, pra në gusht të vitit 2016, kur u aktivizua edhe pse me dy të verdha, ishte mësim i mirë. FIFA na quajti humbjen në tavolinë ndaj Luksemburgut, edhe pse kishim fituar 2-0.
Kaçe kishte marrë dy të verdhë, pra të kuq, më 26 mars ndaj Austrisë, njësoj si Memushaj në Turqi.