Tre golat e sulmuesve bardheblu vendosin sfidën e luajtur në “Gjorgji Kyçyku”, ndërkohë që 24 herë kampionët marshojnë drejt Superiores
Tirana shkëlqen në Pogradec. Edhe në ndeshjen e dytë në këtë qytet arrin të fitojë me rezultatin e pastër 0-3, duke vazhduar marshimin në Superiore. Kjo, falë Ilion Likës, që mbajti të paprekur portën, por edhe Ngosë, Grecës e Halilit, që tundën rrjetën e pogradecarëve. Në një ndeshje ku tifozët e Tiranës ishin në shumicë, bardheblutë fitojnë pa asnjë problem, edhe pse mund ta kishin nisur takimin në “malore”. Që në sekondën e tretë të lojës, bardheblutë, mund të ishin ndëshkuar nga Topllari, që “vallëzon” mes mbrojtësve të Tiranës, që ishin akoma në gjumë, por jo Ilion Lika që bën një reagim kampionësh, duke larguar topin me këmbë e shpëtuar portën. Menjëherë manovrën e merr në dorëzim Tirana, por në minutën e 10-të, ka dy raste për moviolë si për Pogradecin, e Tiranën, ku gjyqtarët ndalin lojën për pozicion jashtë loje, ndërsa skuadrat nuk janë në të njëjtin mendim. Tirana rrit lojën dhe në minutën e 14-të vjen goli i parë i ndeshjes me Ngonë. Në fakt është Sentamu nga e djathta, që futet në zonën mike, kalon një prej mbrojtësve, ndërsa një pogradecar në tentativë për të larguar sferën nga këmbët e ugandezit, ia dorëzon Ngosë, që me një kthesë të menjëhershme godet dhe çon bardheblutë në avantazh. Pas golit, loja zhvillohet në mesfushë, ndërkohë që në minutën e 35-të Bishaj mund të kishte dyfishuar rezultatin. Në minutën e fundit të kohës së rregullt është Greca, që gjuan jashtë kuadratit të Malit. Nga ana tjetër, Pogradeci ka sërish një rast, që mund të barazonte ndeshjen, me Çerepin që gjuan nga jashtë zone, grushton Lika, topi shkon te Lame që godet, por bllokohet nga portieri i Tiranës, i cili u mohon për herë të dytë, golin, pogradecarëve.
Pjesa e dytë nis me gol. Është Greca që përfiton nga një gabim i pogradecarëve, futet në zonë dhe pasi “xhiron me finte” portierin e disa nga mbrojtësit pogradecar, godet dhe shënon golin e dytë të takimit. Mundohet të reagojë Pogradeci me Peren që shënjestron portën, por pa rezultat. Brenda tre minutave, Mauexhe ka dy mundësi për gol, madje njërën vetëm me portierin, por nuk ia del që të shënojë golin e dytë personal me fanellën e Tiranës. Para se të mbyllet ndeshja ka edhe pak lavdi për lojtarët e Tiranës. Në fillim Karabeci gjuan, por topi bllokohet nga pogradecarët e shkon në goditje këndi. Po nga këndi, kapiteni kroson në qendër të zonës, Mertkola grushton topin, ndërkohë që sfera shkon te Halili, i cili me qetësi olimpike shënon golin e tretë të sfidës. Nuk ka më kohë për të luajtur dhe sfida mes pogradecarëve e Tiranës mbyllet me fitoren 0-3 të bardhebluve. Tirana është e para në grupin B, ndërsa Pogradeci pajtohet me humbjen e tretë në po aq ndeshje ndaj bardhebluve.
Ze Maria: E bëmë ne të lehtë. Turtulli jashtë, zgjedhje teknike
Në fund të sfidës me Pogradecin, trajneri i Tiranës, Ze Maria është shfaqur i qetë, por edhe i lumtur. I kënaqur nga fitorja, trajneri i bardhebluve rrëfeu gjithçka, duke filluar nga ndeshja e deri te Interi ku ka luajtur vite më parë. Braziliani sqaroi edhe çështjen “Turtulli”. Ja intervista e plotë me Ze Marian.
-Ishte e lehtë kjo ndeshje në Pogradec?
Gjërat bëhen të lehta kur luan siç luajtëm ne, duke dhënë 100 përqindëshin. Gjatë gjithë lojës u impenjuam për të dhënë maksimumin. Në fillim ishim pak nervozë dhe që tre sekondat e para u dhamë mundësi kundërshtarëve që të shënonin. Lika u tregua shumë i zoti dhe pak nga pak skuadra ia doli të ngrinte kokë dhe fitoi.
-Përse zgjodhe të lije jashtë Turtullin dhe përse rrezikove me dyshen Bisha-Cake, kur mund të luante edhe Muhamed…
Me Turtullin nuk ka asnjë problem. Ishte një zgjedhje teknike të cilën e bëra unë. Alvaro për më tepër luajti shumë mirë. Musa nuk është gati për kampionatin tonë. Pak nga pak do të jetë në kondicionin më të mirë fizik e teknik. Për këtë mora vendimin, që të aktivizoj Alvaron me Klismanin. Mbrojtja rrezikoi pak dhe jam i kënaqur. Në këtë grup, çdo lojtar, mund të luajë titullar.
-Skuadra ishte perfekte, apo gjithmonë ka diçka për rregulluar. Si e parashikon luftën për në Superiore?
Nga tani e në vazhdim janë edhe shtatë ndeshje për t’u luajtur. Për Tiranën nuk ka ndeshje të lehta. Të gjitha skuadrat duan të na mundin dhe këtë e di shumë mirë. Kjo ka ndodhur gjatë gjithë kampionatit, nuk do të ndryshojë tani. Ne vazhdojmë rrugën tonë. Fitojmë takimet tona dhe se çfarë bëjnë të tjerët është punë e tyre. Shkurt, ne duhet të arrijmë objektivin tonë, për t’u ngjitur në Superiore.
-Interi bëri 110 vjeç…
Jam i lumtur, që në të kaluarën kam qenë pjesë e asaj skuadre dhe historisë së saj. Kam luajtur dy vite, kam fituar katër trofe, edhe pse u dëmtova vitin e dytë. Ky dëmtim, nuk më lejoi të luaja në maksimum. Por besoj se të veshësh atë bluzë është çmenduri brenda dhe jashtë fushës së lojës. Urime klubit dhe 110 vite të tjera!
-Interi i sotëm i ngjan Interit tënd?
Janë dy ekipe të ndryshme. Tani ka ndryshuar futbolli. Skuadra ku luaja unë kishte dy kampionë për secilin pozicion në fushën e lojës. Kjo është diferenca. Atëherë kampionët bënin diferencën. Kudo që shkonim, ashtu si edhe te Tirana, luanim për të fituar.
Fetollari: Pogradeci nuk bën kompromise
Trajneri Festim Fetollari, në fund të sfidës me Tiranën ka folur për takimin e djeshëm, duke pranuar se ekipi bardheblu është një skuadër shumë e fortë. Pogradecari qan rastet e humbura në fillim dhe në fund të pjesës së parë. “Ekipi nuk dha në fushë, atë lojë që bëjmë zakonisht. Kishim disa mungesa, si Çekiçi, Jahaj, Shyti, por edhe djemtë e tjerë e justifikuan veten. E dinim që kishim përballë Tiranën, që ka gjithçka dhe do të jetë në Superiore. Nuk na kënaq rezultati 0-3, por kur nuk shënon kështu e pëson. Humbëm edhe një rast të pastër për gol, ashtu siç nuk e meritonim që të pësonim atë gol në pjesën e parë. Të gjitha këto ndikuan, por ne vazhdojmë kampionatin deri në fund dhe nuk do të tolerojmë asnjë ekip. Do të vazhdojmë të fitojmë për të ndihmuar Çekiçin dhe pse jo për të zënë vend të dytë apo të tretë në këtë grup, ndërsa ngjitja në Superligë është e pamundur”, ka mbyllur Fetollari.
E diel 11 mars 2018, ora 14:00, stadiumi “Gjorgji Kyçyku”, Pogradec
Pogradeci – Tirana 0-3
Shënues: Ngo 14’, Greca 50’, Halili 93’
Pogradeci: Mali (Mertkola 83’), Topllani, Hidri, Pura, Çerepi (Kame 65’), Lame, J. Liçkollari, Xh. Liçkollari (R.Molla 80’), Pere, Alillari, Hysenllari. Të gatshëm: Yzellari, Blaçeri, Demiri. Trajner: F.Fetollari
Tirana: Lika, Kërçiku, Cake, Bishaj, Hoxhallari, Daja (Muguna 57’), Mauexhe, Karabeci, Sentamu, Greca(Halili 57’), Ngo (Muçi 72’). Të gatshëm: Abibi, Qilimi, Muhamed, Çelhaka. Trajner: Ze Maria
Gjyqtarë: A. Beqiri, A. Shkreta, R. Zajimi, E. Durmishi (Tiranë)
Kartonë të verdhë: Çerepi 53’, Hidri 85’
Vëzhgues: A. Lamçe
Delegat: P. Haxhija