Tema e arbitrimeve mbetet shumë e nxehtë në Shqipëri dhe thuajse çdo javë ka probleme, herë të shpikura nga klubet e herë shumë të dukshme, deri në kufijtë e qesharakes.
Fundjava e Superiores regjistroi probleme në Kukës e Laç, por mbi të gjitha penalltia e dhënë nga Kridens Meta kundër Flamurtarit në Laç ishte vërtet absurde.
Në “Zona Gol” në Supersport ka folur edhe Debatik Curri, në lidhje direkte nga Prishtina. Ish-mbrojtësi i Tiranës dhe Flasmurtarit në Superiore është pyetur në lidhje me Superioren dhe arbitrat, duke dhënë një përgjigje kuptimplotë: “E ndjek rregullisht Superioren. Kur kam qenë në Shqipëri, di të paktën dy ndeshje kur arbitri ishte i vendosur që të humbiste skuadra ku luaja unë. Tani po shohim disa gabime arbitrash, disa penallti që edhe një i verbër e dallon që nuk janë të tilla, janë gabime të tmerrshme”.