Flamurtari ndoshta do të mundej edhe nëse ndikonte arbitri, pasi në këtë moment ka probleme, por kështu nuk shkon
Flamurtarit nuk ia kishte shënuar asnjë ekip katër gola këtë sezon. I ndodhi me Laçin dhe tashmë ajo vlonjate nuk është mbrojtja më e mirë, por për t’u përmendur është fakti që shpesh kanë pësuar nga pika e bardhë e 11-metërshit, madje tre herë u ka ndodhur me skuadrën e Laçit. Rastësi? Le ta quajmë kështu, por nëse çdo ekip ka pak a shumë një numër të ngjashëm penalltish kundër në krahasim me rivalët, nuk është normale që Flamurtari të ketë dy apo tre herë më shumë se të gjithë. Nëse pastaj shohim penallti si ajo e djeshmja, nuk ka më hapësirë për dyshim: Flamurtari po sulmohet hapur, turpshëm. Nuk ka rëndësi emri i arbitrit, nuk vijohet më me “non grata”, këtu duket qartë që me vlonjatët zbatohet thuajse gjithnjë e njëjta skemë, faulle qesharake në zonë transformohen në 11-metërsha me lehtësi irrituese, ndërkohë që këtë sezon ka pasur edhe penallti për faulle jashtë zone, nja 2 a 3.
Lojtarët e Flamurtarit nuk flasin, trajneri Duro dhe klubi nuk i lejojnë që të gjejnë justifikime për humbjet, por në konfidencë të thonë pak a shumë të njëjtën gjë: “Nuk bëhet fjalë vetëm për golat e penalltitë kundër, sepse ka edhe plot faulle që nuk i kap dot një tifoz, por ne që luajmë i dimë. Nuk kemi guxim ta prekim lojtarin kundërshtar në zonë”. Në Vlorë tashmë nuk dinë ku të përplasen, sepse deri para disa javësh skuadra ishte në formë, e plotë dhe mendërisht shumë e fortë, duke përballuar edhe veprimet prej palaçoje të shumë arbitrave. Tani që kuqezinjtë janë në krizë, edhe për dëmtimet e shumta, mjafton edhe një episod i vogël që “ndërtesa të shembet”. Flamurtari nuk e ka kërkuar asnjëherë titullin këtë sezon, ka synuar vetëm Europën, nuk ka rëndësi si, por me sa duket edhe atë do ta humbasë, sepse kështu duan të tjerët, që e kanë në dorë këtë gjë.