Trajneri i Teutës, Gentian Begeja, ishte shumë i mërzitur dhe i zhgënjyer nga humbja në Kukës, ku sipas tij arbitri ishte krejtësisht i njëanshëm dhe ambienti ishte shumë i keq.
“Goli i barazimit pësuar në fundin e pjesës së parë na uli nga ana psikologjike. Megjithatë, në shumë situata dukej sikur bënim mundje, jo sikur luanim futboll. Ashtu si po luhej, golat e Kukësit ishin çështje kohe, jam shumë i mërzitur. Edhe ambienti ishte shumë i irrituar, shumë ofendime e nerva në shkallët e stadiumit, nuk e kuptoj pse.
“Na ndëshkoi goli i dytë, pastaj pësuam edhe një gol për mosvëmendje të mbrojtjes. Shkurtuam dhe luajtëm mirë deri në fund, por ndoshta arbitri Alla nuk ishte i mendimit që të merrnim pikë.
“Kartonët e kuq? Kukësi shquhet në sportin e mundjes, por nuk e kuptoj pse kaq shumë acarim në fushë.
“Arbitri? Në çdo përplasje favorizoheshin lojtarët e Kukësit. Në çdo situatë në zonë kishte shtyrje e përplasje dhe tentativa për të fituar penallti ose për të shënuar me çdo kusht. Arbitri ndikoi te ndeshja”.