Trajneri i Kukësit, Peter Pakult, ka zhvilluar sot konferencën për shtyp në prag të sfidës që do të luhet nesër në Kukës kundër Teutës (14.00). Për këtë takim Pakult kërkon kujdes maksimal, duke mos i kushtuar rëndësi renditjes: “Duhet ta marrim seriozisht ndeshjen që në fillim. Në Lushnjë pamë se askush nuk dorëzohet, pavarësisht renditjes. E dimë që Teuta kërkon do të tentojnë të luajë me kundërsulme dhe e di që kanë lojtarë të rëndësishëm, por futemi me besim në vetvete për të bërë mirë. Po punojmë që të shënojmë me shumë gola. Lojtarët janë të vetëdijshëm për atë qe ka ndodhur në ndeshjet e fundit dhe nuk vetëkënaqen për të lënë lojën. Nuk ka shumë rëndësi për mua se kush shënon, por rëndësi ka të shënohen gola”.
Duke u ndalur te golat, është larguar shënuesi më i mirë i Superiores, Elis Bakaj: “Nuk po mendoj shumë për largimin e tij. Ka bërë shumë për ne, por duhet të shohim para tashmë. Është diskutuar shumë puna e Bakajt dhe nuk ishte vendimi i parë që të shitej, por me disa gjëra që ndodhën, u kuptua se ishte më mirë të shitej”.
Shqipëria dhe futbolli ynë, një vërejtje nga trajneri austriak: “Do veçoja që nëpër faulle ka shumë zvarritje të lojtarëve dhe bie shumë ritmi i lojës. Lojtarët sillen sikur janë dëmtuar shumë, duke vonuar lojën“.
Mentaliteti që kërkon Pakult: “Më pëlqen ideja që futemi në çdo ndeshje për fitore. Kukësi është ekip me mentalitet fituesi. Nëse futemi me frikë në lojë, dihet që humbim. Ajo që duhet është respekti për kundërshtarin, duhet vetëm të bëjmë më mirë me aq mundësi sa kemi. Në Shqipëri kërkohet nga lojtarët më shumë se sa është kapaciteti i tyre”.