Mici s’ia del, mungesë e papritur ndaj Lushnjës

Kur çdo gjë po shkonte si jo më mirë në kampin bardhekuq dhe konfirmohej prej ditësh fakti se nuk do të kishte asnjë mungesë në ndeshjen e së shtunës, me përjashtim të Bajram Jashanicës, dje është konfirmuar mungesa e mbrojtësit të krahut të majtë, Gledi Mici. Dy ditë më parë, Mici kishte pësuar një dëmtim, pas një përplasjeje në stërvitje me sulmuesin Blerim Krasniqi. U duk se do të riaftësohej në kohë, por në fakt nuk ia ka dalë dhe do të mungojë ndaj Lushnjës. Stafi teknik ka menduar të mos e rrezikojë aspak mbrojtësin, i cili do të qëndrojë në tribunë nesër, për të qenë gati për ndeshjen pasardhëse.

Ky është problemi i vetëm dhe mungesa e vetme e Skënderbeut për takimin e kësaj jave. Trajneri Ilir Daja është duke menduar për zëvendësuesin e tij. Mici është ndër lojtarët e paktë që ka luajtur më shumë minuta te Skënderbeu. Ai që mund ta zëvendësojë është Leonit Abazi, lojtar që është rikthyer pas dëmtimit të gjatë dhe nuk përjashtohet që ta shikojmë nesër në fushë. Të tjerët nuk kanë pasur asnjë problem pas seancës së djeshme, që ishte edhe e parafundit përpara Lushnjës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *