Ka zgjatur 15 minuta analiza e djeshme e skuadrës kavajase me presidentin. Xhati ka qartësuar shumëçka mbi situatën e u bën apel tifozëve për ta mbështetur fort ekipin
Fatmir Efica
Pak para se të niste stërvitja e djeshme skuadra e Besës ka pasur një analizë me presidentin Nexhat Bizhdili. Kanë qenë të pranishëm vetëm futbollistët dhe drejtuesit e stafit teknik. Për 15 minuta në këtë mbledhje brenda familjes, janë analizuar dy fitoret më të fundit radhazi që ka arritur Besa ndaj Kastriotit në transfertë dhe Korabit në Kavajë. Siç është parë nga të gjithë, sidomos te fitorja me Korabin e kontestuar krejt pa shkak nga miqtë dibranë, u pa qartë që Besa kishte nga fillimi e deri në fund epërsi në të gjithë komponentët e lojës. “Tani përcaktuese për Besën është bërë motivimi e ndjenja e përgjegjësisë. Këto faktorë kanë sjellë rezultatet e mira dhe po bëjnë që të largohet njëherë e mirë ai ngërç i panevojshëm që kishte rrethuar çuditërisht ekipin para disa javësh. Në këtë situatë pozitive të krijuar në javët e fundit kam bindjen e palëkundur, se kjo Besë nuk do të mund ta ndalet më nga askush. Tradita e përvoja e madhe që ka Besa e Kavajës në futbollin shqiptar, do të jetë një tjetër element pozitiv që do ta ndihmojë ekipin verdhezi të ketë mbarëvajtjen e duhur në fazën e tretë që do të startojë nga kjo fundjavë”, – tha presidenti kavajas fillimisht.
KALENDARI – “Kemi dy ndeshje shtëpiake me Tërbunin e Burrelin e duhet të shfrytëzojmë maksimum këtë kalendar të mirë për të marrë pikët e plota. Për të vijuar edhe serialin e lojërave të bukura si në 4 javët e fundit”, – ka nënvizuar Bizhdili në analizën e djeshme.
APELI – Presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili dje ka lëshuar edhe një apel për tifozët kavajas për ta mbështetur fort skuadrën e tyre të zemrës. “Në këtë pjesë të mbetur të sezonit, Besa do të luajë denjësisht dhe është e bindur që do t’i kënaqë dhe nuk do t’i zhgenjejë kurrsesi tifozët e saj fantastikë. Synimi ynë do të jetë vendi i 6-të deri në fund”, – tha Bizhdili.