Kosova fiton “derbin” me Shqipërinë, talenti i Genkut i thotë “po”

Vëllezër jemi, por marrëdhëniet nuk i kemi edhe aq të mira kur vjen puna për talentet. Shqipëria dhe Kosova kanë kohë që kanë premtuar se do të bashkëpunojnë ngushtë dhe nuk do të futen në konflikt për të rinjtë që po shpërthejnë anembanë Europës, por ndoshta ne nuk po e mbajmë premtimin.

Kohët e fundit Shqipëria ka tentuar të afrojë sulmuesin e Genkut Edon Zhegrova, i cili këtë sezon ka shpërthyer në kampionatin belg, ku ka luajtur 14 ndeshje dhe ka shënuar një gol. Vetë Zhegrova konfirmoi para pak javësh se ka marrë një ftesë edhe nga Shqipëria dhe po mendohet.

Kjo gjë ka alarmuar Kosovën, me presidentin e Federatës së Kosovës Fadil Vokrri që ka folur qartë, duke kërkuar që FSHF-ja të mos tentojë të afrojë talentet nga Kosova pa u konsultuar me homologen nga Kosova.

Vokrri nuk është ndalur te fjalët, sepse ka udhëtuar personalisht për në Belgjikë, ku është takuar me Zhegrovën dhe familjen e tij dhe ka mbyllur gjithçka, sepse talenti i Genkut e ka vendosur: do të përfaqësojë Kosovën tani e tutje.

Ndoshta FSHF bën mirë të krijojë një marrëdhënie më të ngushtë me Kosovën dhe gjithashtu duhet të zbulojë edhe talente që nuk janë detyrimisht me origjinë kosovare, ndërkohë që duhet kujdes dhe diplomaci për të mos humbur lojtarë që i kishim, mjafton të përmendet sulmuesi i Milanit, Ismet Sinani, i cili dëshironte Shqipërinë, por te U-19 nuk kishte vend për të, ndaj tashmë ka zgjedhur Kosovën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *