Ylli i verilindorëve, shënuesi më i mirë i Superiores, ka pranuar ofertën e shkëlqyer bjelloruse, ndërsa Kukësi nuk është bërë pengesë
E bujshme: Kukësi humbet golashënuesin e vet më të mirë, Elis Bakajn, pasi sulmuesi do të shkojë në Bjellorusi mesjavën e ardhshme. Një lëvizje blic, e realizuar në mënyrë krejt të papritur dhe të paparashikuar, sepse Kukësi ishte i hapur për të shitur ndonjë nga yjet e vet në janar, kur kishte mundësi për të gjetur ndonjë zëvendës, por pikërisht kur dukej se sezoni do të mbyllej me grupin aktual, ka ardhur një ofertë e shkëlqyer për të gjithë, por sidomos për sulmuesin e Kukësit. Klubi Shaktjor i qytetit Soligorsk duket se ka bindur Bakajn, i cili do të transferohet në Bjellorusi brenda pak ditësh. Kampionati bjellorus nis më 30 mars dhe merkatoja aty është e hapur deri më 6 prill, ndaj edhe drejtuesit e klubit ukrainas kanë punuar në qetësi muajt e fundit, duke ndjekur me kujdes paraqitjet e yllit të Kategorisë Superiore.
OFERTA PËR KUKËSIN – Plot 120 mijë euro oferta për Kukësin, nga ato që nuk refuzohen, mbi të gjitha për faktin se Bakaj ka një kontratë një-vjeçare dhe në verë do të dilte i lirë në treg. Pra, Kukësi u vendos përballë një zgjedhjeje të vështirë: të fitojë 120 mijë euro tani dhe të humbasë një ndër lojtarët më të rëndësishëm, apo ta humbiste falas në fund të sezonit. Duke bërë llogaritë, Kukësi ka preferuar të pranojë ofertën bjelloruse, edhe pse është e qartë që pa Bakajn forca sulmuese e skuadrës bie ndjeshëm dhe është një bast i rrezikshëm të përballosh muajt e mbetur të sezonit pa të.
OFERTA PËR BAKAJN – Elis Bakaj ka luajtur te Dinamo e Bukureshtit, Çoronomorets Odesa në Ukrainë, Hapoel Raanana në Izrael dhe RNK Spliti në Kroaci, por ndoshta nuk e imagjinonte që në muajin mars t’i vinte një ofertë e tillë nga Bjellorusia: 150 mijë euro deri në fund të vitit, kur mbaron kampionati bjellorus! Nuk mbaron me kaq, sepse në kontratë do të ketë edhe premio për fitoret, golat dhe arritjen e objektivave sezonale. A mund të refuzohen? Natyrisht që jo, edhe kompania EFA, që e menaxhon, e ka këshilluar të pranojë një ofertë fantastike, ndërsa në fund të vitit mund të rinovojë, ose të kthehet në Superiore, ku si zakonisht ofertat nuk do t’i mungojnë. Të mërkurën pritet që Bakaj të niset për në Bjellorusi.
KUSH ËSHTË KLUBI I RI – Shaktjor është një klub i themeluar në vitin 1961, nga qyteti i Soligorskit, në qendër të Bjellorusisë. Qyteti ka rreth 100.000 banorë, ndërsa stadiumi “Stroitel” ka kapacitet prej 4200 vendesh. Shaktjor ka fituar titullin në vitin 2005, ka dalë 5 herë nënkampion i vendit, për herë të fundit para dy vitesh, ndërsa ka fituar 2 herë kupën dhe ka qenë 5 herë finalist humbës, përfshirë vitin e shkuar. Këtë sezon Shaktjor kërkon të rivalizojë BATE-n dhe Dinamo Minsk për kreun, pas vjet e mbylli vetëm 3 pikë larg kreut, duke humbur dy ndeshjet e fundit në mënyrë të pabesueshme.
Paga te Kukësi, 3000 euro në muaj plus gola milionerë
Elis Bakaj zgjodhi Kukësin verën e shkuar vetëm e vetëm që të qëndronte në Tiranë, sepse realisht ofertë më të mirë e kishte marrë nga Flamurtari. Për të firmosur për Kukësin Bakaj kërkonte 5000 euro në muaj, por Kukësi i ofroi 3000 euro në muaj, plus 2000 euro për gol. Duke e menduar mirë këtë ofertë, pas konsultimit me menaxherët e vet, Bakaj pranoi dhe mori një vendim të mrekullueshëm, sepse 12 golat që ka shënuar në kampionat i kanë vlejtur 24 mijë euro deri tani, përveç rrogës bazë mujore. Jo vetëm kaq, sepse Bakaj kishte në kontratë premio prej 500 eurosh për çdo asist. Lëvizje me tru!
Goditja e radhës nga agjencia “EFA”
Pas lëvizjes së Elis Bakajt drejt Bjellorusisë qëndron agjencia EFA (Eagle Football Agency). E themeluar në vitin 2012, ajo ka pasur një rritje të vazhdueshme në tregun shqiptar, duke bërë shumë lëvizje për jashtë, ose nga jashtë drejt Superiores, përveç lëvizjeve brenda Superiores. Me Kukësin nuk është Bakaj lidhja e vetme, sepse në fund të verës edhe mesfushori Irakli Dzaria erdhi te kampionët në fuqi falë agjencisë EFA dhe ka rezultuar një operacion i suksesshëm, duke parë rendimentin e mesfushorit gjeorgjian. Ndërkaq, kalimi i Bakajt në Bjellorusi është një biznes i shkëlqyer për të gjithë, nga Kukësi deri te lojtari dhe dy menaxherët e njohur të EFA-s, Andi Matraxhiu e Florjan Biba.