Kapiteni i Flamurtarit, Tomisllav Bushiç, ka shënuar vetëm një gol këtë vit dhe ashtu si Flamurtari, është në vështirësi. Pak raste për shënim, vuajtje për të gjetur golin dhe sforcim i madh për fitore. Pas humbjes së sotme ndaj Luftëtarit, kroati nuk polemizon, por nga ana tjetër duket qartë që është paksa i zhgënjyer, sepse Flamurtari ka disa ndeshje që nuk po luan më si vitin e shkuar, kur ishte një skuadër mjaft e saktë në sulm.
“Ndeshje e vështirë, Luftëtari luajti shumë mirë dhe shënoi në atë rast që pati, duhet edhe pak fat. Përveç kësaj, kishim shumë mungesa, ishte një ndeshje e vështirë, edhe unë vuajta në sulm, sepse luajtëm vetëm me topa të gjatë dhe hasnim probleme.
Humbje e hidhur, që prish moralin: “Duhet të shohim përpara, nuk kemi kohë të shohim nga ndeshjet që ikin, sepse të hënën luajmë në Shkodër dhe duhet të reagojmë”.
Renditja është ndërlikuar: “Po, jemi shumë klube në garë për vendin e dytë, edhe Laçi është afruar shumë, edhe të tjerët, por tani le të ecim më tej”.
Vështirësitë në sulm: “Po has vështirësi, më duhet të shkoj shpesh në krah, që nuk është puna ime. Jam gjithnjë i rrethuar nga dy qendërmbrojtës, duhet më shumë bashkëpunim me mesfushën. Trajneri e di më mirë se unë, natyrisht, ne duhet të punojmë dhe të japim maksimumin për të rigjetur formën e vitit të shkuar, sepse nuk po luajmë mirë”.