Trajneri Ndreu pritet të hedhë në fushë formacionin më të mirë ndaj Teutës për fitoren e radhës dhe për të shtuar shanset e Europës
Kamza ka sot një mundësi të mirë për të konsoliduar pozitat e saj në vendet e para të renditjes dhe për të shtuar shanset e pjesëmarrjes në Kupat e Europës, që do të ishte një surprizë vërtet e bukur. Fitorja në transfertën e Lushnjës e riktheu Kamzën në linjën europiane dhe sot skuadra e trajnerit Ndreu kërkon të kthehet te trepikëshi edhe në fushën e saj, pasi së fundi është mundur nga Skënderbeu këtu. Nëse kamzalinjtë vazhdojnë të ecin me këtë ritëm, Europa nuk është aspak tabu, aq më tepër nëse do të ketë një dënim për Skënderbeun, sikundër flitet. Drejtuesit e klubit dhe stafit teknik janë të vendosur për t’ia bërë shërbimin deri në fund këtij objektivi, përderisa e shohin të prekshëm në këtë pikë të kampionatit. Me modesti ata kanë folur deri pak më parë për mbijetesën në Superiore, por vendi i 4-t që mbajnë aktualisht i ka bërë të besojnë se janë të gjitha mundësitë për të shkuar në Europë.
GJENDJA – Përballë Teutës, që vjen sot në Kamzë për të marrë pikë mbijetese, trajneri Ramadan Ndreu pritet të hedhë në fushë formacionin më të mirë, pasi është rikthyer nga skualifikimi edhe mbrojtësi i majtë Vangjel Zguro. Në ndeshjet e fundit trajneri ka preferuar të lërë në stol qendërsulmuesin Raçiç dhe t’ia besojë sulmin kapitenit Plaku, i cili është mbështetur nga mesfushorë sulmues të shpejtë, siç janë Fili, Fukui, Imeri dhe të tjerë. Kjo skemë loje ka funksionuar në fakt, por në Lushnjë ishte Raçiç që shënoi pasi u aktivizua si zëvendësues dhe nuk është çudi që sot të jetë në fushë nga minuta e parë. Për sulmuesin serb u fol se ishte kthyer në një çështje te Kamza, ndërsa trajneri Ndreu ka shpjeguar se sulmuesi ka pasur probleme fizike. Sidoqoftë, Kamza sot do të zbresë në fushë me më të mirët dhe do të kërkojë ta fitojë ndeshjen për të qenë një kandidate edhe më e fortë për të shkuar në Europë.
Formacioni i mundshëm i Kamzës
Gjonikaj – Idrizaj, Frashëri, Kuqi Zguro – Mehmeti, Arrabal, Imeri – Fukui, Plaku, Fili