Sulmuesi i Skënderbeut: Po bëj një kampionat shumë të mirë dhe ekipi është i kënaqur me mua, kjo ka rëndësi. Titulli kampion është në duart tona
Leonard Trebicka
Me nisjen e gjysmës së dytë të sezonit, sulmuesi Ali Soue nuk ka më atë shkëlqimin e fillimit. E ka pranuar edhe trajneri Ilir Daja, duke thënë se lojtari nuk është ai i pari, por po shkon drejt formës së tij optimale. Soue nuk u duk shumë edhe në ndeshjen e fundit me Partizanin, ku e mori veten vetëm në pjesën e dytë. Vetë sulmuesi kryesor i korçarëve thekson për Sport Ekspres se te Skënderbeu ndihet shumë mirë, madje më mirë se në asnjë ekip tjetër të karrierës së tij. Pohon se po zhvillon një kampionat shumë të mirë dhe ka besim të plotë se do të shpallet kampion, pasi i sheh rivalët e Skënderbeut të dorëzuar në raport me vendin e parë. Ja intervista e plotë e futbollistit nga Gambia…
– Soue, fitore e vuajtur me Partizanin, po që rrit diferencën e pikëve me ndjekësit…
– Natyrisht që çdo fitore e kënaq ambientin e Skënderbeut, aq më tepër kur vjen ndaj një rivali, siç është Partizani. Një fitore, që na ka bërë mirë edhe për faktin se prej ditësh ndjehej presioni i kësaj sfide, për më tepër që edhe tifozët e kërkonin me çdo kusht. Për këtë e përgatitëm maksimalisht atë takim dhe në fund ia dolëm.
– Ka qenë një ndeshje delikate në fakt. Pse Skënderbeu hasi aq shumë vështirësi?
– Të tilla ndeshje janë të ngjashme me një derbi, ku asnjëherë ekipi që është favorit nga renditja nuk hyn i tillë në fushë. Partizani ishte i etur për pikë dhe nuk donte kurrsesi ta humbte atë takim, ndoshta edhe për moralin e lojtarëve. Ne hyjmë për fitore në çdo ndeshje. Mund të them se fati ishte në krahun tonë dhe arritëm të marrim tri pikë mjaft të vlefshme.
– Tashmë jeni 13 pikë para vendit të dytë, a mund të themi se kampionati është i mbyllur?
– Ende jo, pasi janë edhe shumë ndeshje përpara. Mbeten edhe shumë pikë dhe kampionati mbyllet vetëm kur matematika e thotë diçka të tillë. Por, për të qenë i sinqertë, ky kampionat po shkon drejt mbylljes së çështjes së titullit. Rivalët që kishim për vendin e parë nuk e kanë më objektivin e tyre titullin, pasi janë shumë larg nesh dhe në një farë mënyre janë demoralizuar në këtë aspekt.
– Kjo do të thotë se Skënderbeu është kampioni i ri?
– Po shkojmë drejt titullit, por duhet të jemi të përqendruar. Është diçka që trajneri na e përsërit shpesh. Titulli është në duart tona. Kjo edhe për faktin se nuk kam dëgjuar asnjë nga rivalët ta shpallë si objektiv titullin kohët e fundit. Ndoshta ata e ndjejnë që këtë vit nuk i afrohen Skënderbeut.
– Të mërkurën luani në Kukës. Si e prisni këtë ndeshje?
– Kundërshtari është ekipi kampion në fuqi dhe në fushën e tij do të kërkojnë një fitore morali mbi të gjitha, por edhe për të ngushtuar diferencën. Do të shkojmë atje për të përsëritur atë paraqitje të fazës së parë, kur fituam në fushën e tyre.
– A mund të jetë kjo ndeshje përcaktuese?
– Nuk besoj, nuk do të varet asgjë nga kjo ndeshje. Është një ndeshje radhe, ndërkohë që diferenca është e madhe nga ndjekësit. Por, nëse fitojmë ne dhe ndalen rivalët, hapi drejt titullit do të jetë i dyfishtë.
– Golat e munguar kanë sjellë kritika për ju. Cila është përgjigja juaj?
– Kam dëgjuar shumë të flitet për golat dhe për lojën time në fushë. Unë jam i kënaqur me kampionatin që po bëj, edhe ekipi është i kënaqur për mua. Kjo ka më shumë rëndësi për mua. Mund të them se në këto vite karrierë jam ndjerë më mirë te Skënderbeu jam i kënaqur që luaj këtu.
– Në fakt, nuk po shohim atë Soue që pamë në pjesën e parë të sezonit…
– Ndoshta. Kjo mund të jetë pasojë e vëmendjes më të madhe që kanë lojtarët kundërshtarë tek unë. Gjë që më bën mirë, pasi më rrit më shumë dhe më bën më të fortë.