Portieri i Vllaznisë, Alen Sherri, po konfirmohet si një futbollist me të ardhme të shkëlqyer dhe trajneri Ernest Gjoka e ka fituar bastin e tij, sepse me ardhjen e tij e bëri titullar djaloshin shkodran. Pas ndeshjes, Sherri foli për barazimin në Gjirokastër, ku kreu disa pritje të bukura.
“Ishte një ndeshje si gjithë të tjerat për mua, bëra thjesht detyrën, sepse për atë punë luaj. Korrigjova një gabim që bëra në fillim të ndeshjes dhe jam i lumtur që morëm rezultat pozitiv sot”.
Objektivi: “Ne luanim për fitore në Gjirokastër, edhe pse terreni ishte paksa i vështirë. Ishte një ndeshje e ndërlikuar, por gjithë skuadra dha maksimumin dhe jam i kënaqur me pikën, sepse Luftëtari ka një ekip mjaft cilësor dhe Gjirokastra është fushë shumë e vështirë”.
Sherri, një produkt i të rinjve të Vllaznisë: “Besoj se nëse punon shumë dhe ke durim, puna shpërblehet”.