Çela: Dedja na përbalti, nuk u tregua i sinqertë

Veterani lushnjar: Trajneri ndryshe fliste me ne dhe ndryshe me drejtuesit e klubit. Nëse nuk na kishte në plane, duhej të na e thoshte në sy

Arjan Likja

Largimi i trajnerit Hysen Dedja nga Lushnja është një fakt i kryer. E ka pranuar largimin e trajnerit shkodran edhe kryebashkiaku Fatos Tushe dhe tani po mendohet për trajnerin e ri. Shkodrani u largua nga skuadra myzeqare ditën e mërkurë, pas një debati para nisjes së stërvitjes me mbrojtësin Byzhyti. Më pas janë përfshirë në këtë debat edhe veterani Gentian Çela dhe mesfushori Erlind Korreshi. Dedja është larguar drejt Tiranës, pasi komunikoi dorëheqjen e parevokueshme, duke u shprehur se nuk mund të drejtonte një ekip, që nuk respekton autoritetin e trajnerit. Dje skuadra ka vazhduar me seancën e radhës stërvitore, nën drejtimin e ndimëstrajnerit Çuko dhe përgatitësit atletik Gjika. Të dielën myzeqarët do të udhëtojnë drejt Vlorës për t’u përballur me Flamurtarin potent.

GENTIAN NUSHI – Pas dorëheqjes së trajnerit Dedja, kanë ardhur edhe reagimet nga kampi verdhejeshil. Nënkryetari i Bashkisë së Lushnjës, Gentian Nushi, njëherazi edhe kryetar i bordit të futbollit, për “Sport Ekspres” është shprehur: “Kemi marrë njoftim për incidentin e djeshëm në skuadër mes trajnerit Hysen Dedja dhe disa futbollistëve. Aktualisht, Dedja vazhdon të jetë trajner i Lushnjës, pasi nuk na ka paraqitur ende dorëheqjen me shkrim. Nuk do ta dëshiroja këtë largim, por nëse ndodh, më pas do të jemi ne që do të marrim në shqyrtim kërkesën e tij dhe më pas do të marrim vendimin e duhur.

GENTIAN ÇELA – Futbollisti Gentian Çela, njëri nga ata që u përfshinë në debatin me trajnerin Dedja, ka dashur të sqarojë situatën dhe për “Sport Ekspres” ka thënë se trajneri Hysen Dedja nuk ka vepruar me profesionalizëm dhe mbi të gjitha, sipas tij, nuk është treguar i sinqertës: “Ajo që ndodhi nuk është interpretuar saktë në shtypin sportiv. Më vjen keq që trajneri Hysen Dedja ka keqinterpretuar atë çfarë ka ndodhur në seancën e së mërkurës. Dua të them se është abuzuar me të vërtetën. Trajneri nuk e filluar debatin me Byzhytin për arsyen se ky ka ardhur me vonesë në stërvitje. Unë dhe Albani jemi rreshtuar të parët në fushën e stërvitjes. Pas rreshtimit, Dedja i ka kërkuar llogari Byzhytit për një prononcim të tijin në media. Byzhyti i ka dhënë argumentet për atë shkrim, ndërkohë që duke debatuar për këtë gjë, trajneri Dedja ka përmendur edhe emrin tim në lidhje me mosaktivizimin. U shtanga, pasi nuk i jam ankuar kurrë trajnerit për mosaktivizimin dhe jam stërvitur me përkushtim dhe seriozitet, si i gjithë ekipi. Trajneri Dedja ka qenë me dy fytyra në lidhje me mua, por edhe me shumë futbollistë të tjerë. Nëse ky trajner nuk dëshironte të na përfshinte në planet e tij, duhej të na e thoshte hapur në sy dhe unë, si profesionist, do t’i shtrëngoja dorën. Por ai nuk është treguar i sinqertë. Ndryshe na thoshte ne dhe ndryshe fliste me drejtuesit e klubit.

“Kjo nuk i ka hije një trajneri profesionist, ndërkohë që gjatë çdo seance stërvitore na provokonte me aludime dhe fjalë fyese për ndeshjet e luajtura. Në seancën e së mërkurës ai provokoi këtë debat, duke dalë hapur, ndërkohë që kisha reagimin tim logjik, pa e sharë dhe ofenduar. Jam një futbollist profesionist dhe gjatë karrierës time nuk e kam pasur në edukatë të debatoj apo të diskutoj urdhrat e trajnerit. Përkundrazi, gjithmonë kam qenë në krah të trajnerëve. Jo më kot për vite me radhë kam mbajtur shiritin e kapitenit të ekipit tim të zëmrës. Normalisht, çdo fillim e ka një fund, por ky fund duhet të deklarohet në mënyrë zyrtare dhe të sinqertë nga trajneri, që në rastin konkret është Dedja. Mendoj se mund të jap akoma për Lushnjën, por nëse drejtuesit vendosin të kundërtën, e pranoj  verdiktin e tyre me profesionalizëm dhe jo të bëj një largim të përbaltur, siç u mundua të ma servirte trajneri Hysen Dedja”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *