Sulmuesi nuk u stërvit me skuadrën dhe nuk do të luajë kundër Flamurtarit. Faza e riaftësimit vazhdon të jetë e zgjatur
Partizani nuk i ndali përgatitjet ditën e djeshme. Skuadra e kuqe u stërvit nën urdhrat e trajnerit Sulejman Starova. Numri një i stolit po përgatit ekipin për ndeshjen e Kupës së Republikës kundër Flamurtarit, një takim që do të luhet ditën e mërkurë, ora 17:00, në stadiumin “Selman Stërmasi”.
Tekniku 62-vjeçar nuk do të jetë në stol as në këtë takim, pasi është i dënuar nga Komisioni i Disiplinës Sportive. Ai kishte shpresa se në sfidën kundër Flamurtarit dhe Kukësit të kishte në dispozicion sulmuesin Edgar Çani. Aktivizimi i sulmuesit lidhet edhe me faktin se lojtari po vijon fazën e tij të riaftësimit prej kohësh dhe duke qenë se premtimi i tij për t’u kthyer në fund të janarit është tejkaluar. Jemi më 13 shkurt dhe Çani nuk është gati. Vëmendja te ai u rikthye pas seancës së djeshme stërvitore. Futbollisti nuk ishte i pranishëm dhe nuk u stërvit me grupin.
ÇANI – Sulmuesi Edgar Çani nuk u stërvit në seancën e djeshme stërvitore. Shtatlarti nuk ishte me grupin dhe nuk mori aspak ngarkesë. Ndryshe nga sa pritej, 28-vjeçari nuk është ende gati dhe në sfidën kundër Flamurtarit nuk do të jetë as në pankinë. Ai duket se do të mungojë edhe disa javë, sepse fizioterapistja po ndjek procesin e riaftësimit të tij, e ftuar në “Procesin Sportiv”, deklaroi dje: “Çani ka kryer një ndërhyrje të dytë kirurgjikale në gju. Nisi stërvitjen i diferencuar, por u detyruam ta linim pushim, sepse pati sërish dhimbje. Tashmë është duke marrë disa mjekime specifike. Besoj se do të kthehet të luajë për Partizanin, por ende nuk dihet kur”.
KLUBI – Nëse fizioterapistja flet hapur për Çanin, nuk ndodh kështu me klubin e kuq, q jep një justifikim të paqartë: “Çani ka marrë shumë ngarkesë dhe u la pushim”, – u shprehën burime pranë klubit, por jo në mënyrë zyrtare. Duket i çuditshëm ky justifikim, pasi Çani po stërvitet me ritëm më të ulët se pjesa tjetër e grupit. Megjithatë, nisur nga programi i tij individual dhe fakti se nuk është ende i gatshëm për Starovën, duket se rikthimi i tij në fushë do të zgjatet më shumë.