Keqardhje te Partizani pas barazimit me Laçin. Zëvendëstrajneri Klevis Dalipi, pas ndeshjes në Supersport deklaroi se ka një moment të dyshimtë që mund të kishte ndryshuar lojën, por tani gjithçka është mbyllur.
BARAZIMI
“Të vjen keq, pasi sot humbëm një mundësi të artë për të kapur vendin e tretë. Vinim nga një seri ndeshjesh pozitive. Jemi skuadra më në formë fizike dhe jemi rritur jashtëzakonisht shumë. E treguam dhe sot. Shpërdoruam një rast me Bardhin, por kam dhe një dyshim për një pasim të Asanit për Lukasin. Është një pozicion i rregullt, ku arbitri i ka rënë përpara. Më vjen keq që ndodhin këto gabime njerëzore. Nëse do të quhej pozicion i rregullt, ndeshja do të merrte një rrjedhë tjetër. Ata donin të ruanin distancën me ne dhe ishim të bindur se do të shfrytëzonin kundërsulmin. Ishte një rastësi sesa një kombinacion. Nuk e arritëm dot qëllimin në fund”.
MERKATO
“Nuk është e lehtë të gjesh lojtarë të lirë. Shpresonim dhe shpresojmë të vij Çani në formën e tij më të mirë e të shfrytëzonim lojtarë si Progni e Bardhi. Gjatë javës Bardhi ka realizuar shumë gola në kundërsulm. E përsëris, mos harroni ku kemi qenë e ku jemi sot. Kemi bërë afrimet më të mira të mundshme”.
KUPA
“Duhet kohë, por dhe pak fat. Një gol bën ndryshimin. Kemi besim te skuadra nga ajo që po prodhojmë. E presim me besim ndeshjen Kupës me Flamurtarin”.
SULMI
“Rasti i Lukasit është specifik. Ai ka kaluar një gjendje gripale, që e kishte dhe sot. Ai i shfaqi dhe në fushë, pasi ishte disi i plogët. Kur një sulmues është në një gjendje të tillë, minuk dha më të mirën e tij. Në këtë mënyrë, bëmë një zhvendosje në fushë”.
TERRENI
“Për një skuadër që do të fitojë, një terren jo i mirë shton vështirësinë për një rezultat të mirë. E ka më të lehtë një skuadër që vjen me objektiva të qarta. E meritoi pikën që mori skuadra e Laçit”.