Bicaj paralajmëron Skënderbeun: Vijmë për pikë në Korçë

Qendërmbrojtësi premton maksimumin për skuadrën e tij dhe si profesionist kërkon maksimumin në kryesfidën e javës kundër korçarëve, që është edhe ndeshje e veçantë për të

Elton Nika

Rikthehet të premten rivaliteti mes Skënderbeut dhe Flamurtarit. Një takim që do të përcaktojë shumë lidhur me fatet e kampionatit dhe natyrisht që pritet një përballje interesante. Vlonjatët nuk do të kenë të gatshëm Lansinet Sidibe në këtë takim, ndërkohë që do të jenë gati Tounkara dhe Muarem, si dhe pritet rikthimi i Bicajt në mbrojtje. Lezhjani u dëmtua në ndeshjen me Partizanin në Kupë dhe mungoi në Kukësin. Për të është një rikthimin në Korçë, aty ku ka fituar edhe titullin kampion. Pavarësisht forcës së Skënderbeut, shtatlarti beson shumë tek rezultati pozitiv. “Do të jetë një ndeshje shumë e bukur dhe e fortë, mes dy skuadrave shumë të mira. Jam rikthyer nga dëmtimi që pësova në ndeshjen me Partizanin dhe që më la jashtë ndeshjes në Kukës, ndërsa gjatë kësaj periudhe kam punuar më shumë individualisht. Jam gati për skuadrën në këtë takim, por të shohim rreth aktivizimit apo jo nga minuta e parë. Nesër luhet një ndeshje shumë e rëndësishme. Tetë pikë diferencë nuk janë shumë, por nuk janë as pak. Do të shkojmë në Korçë për të bërë lojën tonë dhe për të marrë rezultat pozitiv. Skënderbeu ka një skuadër shumë të mirë, të organizuar dhe që vitet e fundit ka ditur të jetë në majat e futbollit shqiptar, por edhe ka bërë mjaft mirë në Europë, ndaj mbetet një skuadër shumë cilësore. Megjithatë edhe Flamurtari synon maksimumin, ashtu si në çdo ndeshje tjetër.

RIKTHIMI IM NË KORÇË
Sigurisht që Bicaj është nostalgjik për periudhën që ka kaluar te Skënderbeu, por nga ana tjetër vlerëson atë që ka gjetur në Vlorë dhe si profesionist kërkon t’i shërbejë me maksimumin e tij Flamurtarit. “Nuk është hera e parë, por padyshim që në Korçë ia kam kaluar mjaft mirë, më kanë respektuar dhe kam miq të shumtë. Por mendoj vetëm për Flamurtarin, ku kam gjetur mikpritje të jashtëzakonshme nga tifozët dhe drejtuesit. Ndihem mjaft mirë në këtë ekip, prandaj mendoj vetëm për të dhe faktin se do të kërkojmë vetëm një rezultat sa më pozitiv në këtë transfertë delikate. Luan vendi i parë me të dytin dhe padyshim që ndeshje të tilla janë mjaft të rëndësishme”, thotë Bicaj.

OBJEKTIVAT
Ngadalë-ngadalë te Flamurtari kanë nisur ta nxjerrin kokën dhe të flasin për objektiva. Sigurisht nuk mund të mungojë fjalia e bërë e famshme për vlonjatët: “duhet vetëm të respektojmë fanellën”. Kupa e Shqipërisë dhe kupat e Europës janë synimi i skuadrës së Shpëtim Duros dhe Bicaj e thotë hapur këtë gjë, por lë një shteg të hapur edhe për titullin. Nëse fitohet nesër, gjithçka është edhe më e mundur.
“Ne nuk kemi përcaktuar që në nisje të sezonit objektiva, por jemi në vend të dytë në kampionat dhe po luftojmë për Kupën e Shqipërisë, pasi kemi fituar ndeshjen e parë me Partizanin. Padyshim e rëndësishme për ne mbetet që të vijojmë në këtë rrugë, të respektojmë fanellën deri në fund. Rëndësi ka padyshim Kupa, pasi mund t’i shkojmë deri në fund, por edhe kampionati, jo vetëm kupat e Europës, edhe pse mendoj se ky është objektivi real i Flamurtarit. Megjithatë llogaritë duhet t’i bëjmë vetëm në fund. Na mungojnë pikë dhe nëse do të ishte renditja reale, sot mund dhe duhej të ishim një apo dy pikë larg Skënderbeut. Megjithatë ka ende shumë ndeshje përpara, pasi tani nis gjysma e dytë kampionatit. Ne do të luftojmë në çdo ndeshje dhe kemi besimin maksimal”, përfundon lezhjani i prapavijës së Flamurtarit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *