Politika i përulet futbollit

Nuk jemi vendi më i zhvilluar në futboll, por jemi shumë më keq në politikë dhe dje futbolli e dha përgjigjen: “Na lini të qetë, boll kemi hallet tona!”. Politika na ka marrë në qafë në çdo aspekt të jetës, për shumë e shumë vite, ndërsa kur i është afruar futbollit ka bërë vetëm rrëmujë, histori ka plot, mjafton të kthehemi jo shumë larg në kohë, por në fillim të kësaj dekade. Këtë radhë një deputet dhe personalitet i rëndësishëm i politikës shqiptare që prej viteve ’90, Bashkim Fino, tentoi të merrte frenat e futbollit shqiptar.

Nuk ia doli, do të ankohet në UEFA e CAS, por e vërteta është që futbolli i tha “jo”. Votën ia dhanë kryebashkiakët e majtë, ndërsa në krahun tjetër të llogores ishin kryebashkiakët e djathtë: edhe ky është një problem tjetër madhor që e ka shkaktuar pikërisht politika, sepse privatizimi i klubeve zvarritet prej vitesh pikërisht nga qeveritarët tanë, pak rëndësi ka ngjyra.

Presidentët e futbollit, ata që hedhin paratë e tyre, jo të bashkive, thuajse në bllok vendosën të vazhdonin në rrugën e viteve të fundit. Liga është në horizont, mbetet premtimi madhor i Dukës që duhet ta mbajë patjetër për ta rritur futbollin, por sfidat e Dukës janë të shumta, nga shtimi i terreneve sportive për brezat e rinj, deri te lufta ndaj trukimeve, që mbeten një makth më vete.

Me shpresën se së shpejti futbolli do të privatizohet, se klubet do të kenë qeverinë e vet dhe do të mësojnë si të vendosin vetë për fatet e tyre e të ndërtojnë strategji afatgjata…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *