Darka “formale” dhe ajo… “parlamentare”

 

Nga Durrësi në Tiranë, prag zgjedhjet zhvillohen në pole të kundërta. Fino në fillim reagon se nuk mori ftesë e FSHF-së, më pas përgënjeshtrohet dhe në fund mbledh urgjentisht “palën” e tij në qendër të kryeqytetit

Ashtu sikurse dhe ka ndodhur edhe herën e fundit, duke i qëndruar protokollit, Federata Shqiptare e Futbollit ka organizuar dje darkë pritëse për të gjithë kandidatët dhe pjesëtarët e Asamblesë Zgjedhore, pak orë përpara fillimit të punimeve të saj. Në hotelin “Adriatik” të Durrësit, aty ku do të zhvillohet edhe Asambleja, FSHF-ja njofton se ka ftuar të gjithë anëtarët e saj, përfshirë këtu edhe kandidatët për postin e presidentit dhe të Komitetit Ekzekutiv, ndërkohë që në darkë – sipas njoftimit të saj, – ishin edhe përfaqësuesit e FIFA-s dhe UEFA-s, vëzhgues për procesin zgjedhor ditën e sotme.

Por, menjëherë pas këtij njoftimi ka reaguar përmes faqes së tij në “Facebook” kandidati për president, Bashkim Fino, i cili në postimin e tij thekson se nuk ka marrë asnjë ftesë për këtë darkë, duke e konsideruar këtë lajm si një gënjeshtër dhe një manovër dëshpëruese të rivalit të tij. Nuk ka zgjatur shumë dhe Federata Shqiptare e Futbollit ka publikuar nga ana e saj “e-mail”-in e ftesës, që Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku i kishte dërguar kandidatit Fino për darkën e së martës.

 

Por, mesa duket kandidati Fino, që nxori edhe statusin e tij në faqen zyrtare në fb, thjesht ka hedhur hi syve, duke qenë se dje në mbrëmje, në hotelin e njohur në Tiranë, “Plaza”, darka që kishte organizuar dhe hapësira e prenotuar, ishte e gjitha kushtuar zgjedhjeve të sotme dhe më e rëndësishme se ajo formale… Pra, një darkë “parlamentare”. Erion Veliaj, Gaz Demi, të gjithë kryebashkiakët socialistë, drejtues të tjerë klubesh: të gjithë në takim urgjent dje në mbrëmje. U mblodhën për të diskutuar për votimet e nesërme të Presidencës së FSHF-së, për hallet e futbollit shqiptar, pa sens politik… Mungoi vetëm kryeministri Rama që të plotësonte kuadrin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *