Pas humbjes në gjysmëfinalen e vajtjes në Kupën e Italisë ndaj Juventusit, Atalanta kthehet të fitojë në kampionat, edhe pse pa Alehandro Gomezin. Ka mjaftuar një gol i të riut Mançini për të siguruar 3 pikët përballë Kievos. Ndërkaq, Etrit Berisha mban për të shtatën herë në këtë kampionat portën e paprekur, pasi edhe dje nuk është shqetësuar aspak nga sulmet e veronezëve.
Në fakt, edhe pse në nota ka marrë “6”, ai ka qenë spektator pa pagesë, duke mos bërë pis dorashkat. Ndërkohë, bashkëkombësi i tij dhe rivali në portën e Shqipërisë, Thomas Strakosha, që ka edhe një ndeshje për të luajtur, atë sot ndaj Xhenoas, është ndalur në 6 ndeshje pa pësuar gol, nga 22 paraqitje.