Bomberi kuqezi firmos deri në verën e vitit 2020 me skuadrën spanjolle. “Hap i madh për mua, Bardhi do të më ndihmojë”. Legia përfiton thuajse 1 mln euro. Por, Pacini bëhet konkurrenti i tij
Anton Cicani
Armando Sadiku e bën ëndrrën realitet… duke u transferuar nga Polonia në Spanjë. Kalon në një kampionat ku çdokush do të donte të luante, edhe pse këtë herë ka një detyrë të rëndësishme dhe me përgjegjësi, pasi ndërsa te Legia e Varshavës mbijetesa nuk diskutohej, te Levante nuk është kështu dhe rrezikohet seriozisht tragjedia në fund të sezonit. Legia pagoi 750 mijë euro për kartonin e tij te skuadra e Zurihut. Bomberi 26-vjeçar kuqezi ka firmosur deri në vitin 2020, teksa Levante do të derdhë në arkat e klubit të Legias thuajse 1 mln euro. Ndërkohë, Sadiku ka luajtur 17 ndeshje dhe ka shënuar vetëm 2 gola me skuadrën polake. Sakaq, dedutimi i tij, që dje ka nisur stërvitjen me skuadrën e re, pritet të jetë të shtunën, përballë Real Madridit të Zinedin Zidanit, Bejlit, Kristiano Ronaldos, por edhe Modriç e kështu me radhë.
Refuzoi Turqinë – Ditët e fundit të merkatos, disa klube turke, mes tyre me oferta shumë më të mirë, provuan që të merrnin Sadikun, duke i ofruar edhe një rrogë thuajse 700 mijë euro e sipër, por futbollisti nuk pranoi dhe e dëshori fort kalimin në La Liga, aty ku do të provojë që të lërë gjurmë. Skuadrat turke që u interesuan për të ishin Trabzonspor, Kaiserispor dhe Sivaspor. Edhe nga Rusia pati sondazhe të tjera.
Fjalët – Edhe pse në spanjisht, Sadiku nuk është gjendur aspak në vështirësi dhe, në intervistën e parë të prezantimit për kanalin zyrtar të klubit, ka folur rrjedhshëm, duke gabur shumë pak: “Jam shumë i lumtur që jam në këtë skuadër. Shokët e ekipit janë treguar shumë të mirë dhe jam i kënaqur që gjendem këtu. Skuadra më ka ndihmuar duke filluar nga dita e parë e stërvitjes. Tashmë do të kalojë 6 muaj në këtë skuadër. Ky është një hap i madh për karrierën time dhe jam i kënaqur që luaj në La Liga. Kam parë disa ndeshje të këtij ekipi dhe mendoj se mund të bëjmë gjëra të mira së bashku. Bardhi është futbollist i mirë, flasim shqip dhe mund të më ndihmojë në këto ditë të para. Një përshëndetje për të gjithë përpara Levante”, është shprehur Armando Sadiku.
Emergjenca – Do të ndihmojë klubin e Valencias në këtë rrugëtim të vështirë për mbijetesën: formacioni i trajnerit Huan Ramon Lopez Munjis ëhstë ende lart linjës së kuqe, në kuotën e 19 pikëve, por lojërat janë bërë të rrezikshme duke qenë se fitorja, në shtëpinë kuqeblu, mungon prej 9 javësh, që prej 19 nëntorit (2-0 në shtëpinë e Las Palmasit). Praktikisht, ardhja e Sadikut duhet edhe për sulmin, pasi në 25 javë, Levante ka shënuar vetëm 18 gola.
Plani “C” – Armando Sadiku u zyrtarizua dje te Levante dhe zhvilloi edhe seancën e parë stërvitore, por sipas asaj që shkruajnë mediet iberike, shqiptari ishte alternativa e fundit për sulmin e ekipit spanjoll, duke qenë se dy të tjerë nuk pranuan që të vishnin fanellën e ekipit andaluzian. Bëhet fjalë për Broun Ideje, që firmosi me Malagën pak ditë më parë, por edhe për Aruna Kone, që aktivizohet në Turqi me Sivasporin dhe është 34-vjeç.
Konkurrenca – Por, siç duket, hapësirat te Levante duhen fituar… Sepse, po në ditën e fundit të merkatos, në Spanjë është transferuar me formulën e huazimi edhe Xhampaolo Pacini, deri në fund të sezonit, për të parë më pas nëse mund të firmosë ose jo një kontratë të re, pasi me Veronën e ka mbyllur në Itali. Në fakt, pikërisht mosmarrëveshjet me trajnerin Pekia kanë sjellë edhe këtë largim të “Pacos”, i cili është marrë pikërisht për t’i dhënë skuadrës valenciane një kthesë, duke qenë se eksperienca e bomberit italian duhet, duke qenë se ka shënuar 33 gola në 84 ndeshje me Veronën, duke u shpallur edhe golashënues i Serisë B, sezonin e shkuar, me 25 gola. Ishte pikërisht Pacini ai që ngjiti skuadrën verdheblu në Serinë A.