Vata: Skocia pa yje, por grup si Shqipëria. Sa do doja të isha në fushë!

Ish-futbollisti i famshëm shkodran është një njohës perfekt i futbollit skocez, ndaj nuk mund të mos pyetet në lidhje me sfidat në Nations League

Intervistoi: Gaspër Marku

Kur shorti i Nations League përcaktoi se do të përballemi edhe me Skocinë, është e qartë që kërkohet ndonjë lidhje me britanikët, që në fakt për ne janë një mister i madh, sepse nuk jemi ndeshur kurrë. Megjithatë, një nga ata që i njeh mirë skocezët është Rudi Vata, mbrojtësi i famshëm shkodran, i cili ka luajtur nga Skocia deri në Japoni, duke kaluar nga Gjermania e Qiproja. Në periudhën 1993-1996 Vata ka luajtur për Seltikun, duke u bërë një personalitet i rëndësishëm dhe ende mjaft i respektuar në klubin legjendar, ndaj nuk ka person më të përshtatshëm për të pyetur, në lidhje me përballjet Shqipëri-Skoci, që do të luhen vjeshtën e ardhshme.

– Vata, nis një kompeticion i ri, është mësuar edhe shorti, ku përballemi me Izraelin dhe Skocinë. Mendimi juaj?
Mendoj që është ndoshta shorti më i bukur që mund të ketë pasur Shqipëria ndonjëherë. Shorti më interesant dhe shorti ndoshta më i ekuilibruar. Kemi kundërshtarë dy skuadra siç janë Izraeli dhe Skocia, të dyja skuadra pak a shumë në nivelin e përafërt të kombëtares shqiptare. Unë mendoj se skuadrat, si Skocia, Izraeli dhe Shqipëria, janë të barabarta. Po ta shikosh në momentin e parë këtë grup, jam i sigurt që si skocezet, si izraelitet dhe shqiptarët mendojnë se kanë shanse të forta për të bërë hapin e madh, pra edhe për Botërorin e 2020-tës. Mendoj se skuadra që do të jetë më e mirëorganizuar, më mirë e vendosur në fushë, ajo skuadër që do ta japë maksimumin ka për të qenë edhe fituesja e grupit. Çdo gjë është e hapur për momentin. E bukura është kur fillojnë eliminatoret, dhe mënyra se si shkojnë ato nuk mundesh të parashikosh, sepse janë tre skuadra me shumë pak diferenca, me shumë pak ndryshime nga mënyra se si janë edhe paraqite ato në këto sezonet e fundit të eliminatoreve për Botëror. Janë skuadra të barabarta dhe shpresoj që Shqipëria të dalë triumfuese, sepse mundësitë ekzistojnë.
– Izraelin le të themi që e njohim tashmë. Po Skocia, që pakkush e njeh si ti dhe nuk jemi ndeshur më parë?
– Futbolli skocez ndoshta ka diçka më tepër se sa futbolli shqiptar, për sa i përket agresivitetit, luftës sportive dhe vendosmërisë deri në minutën e fundit. Mendoj se skuadra kombëtare skoceze është një skuadër kompakte, nuk ka yje, ashtu siç është është edhe skuadra jonë kombëtare, që nuk është një skuadër me yje, por një grup i vërtetë. Një skuadër që ka vlera lojtarësh të jashtëzakonshëm, por është një skuadër që luan futboll të shpejtë, futboll agresiv, dhe ka finalizues të mirë në repartin e sulmit.
– Duke parë ngjashmëritë, çudi që skocezët nuk kanë kërkuar De Biazin, kur u largua nga ne.
– Në fakt, unë kam biseduar me një nga njerëzit e rëndësishëm të federatës skoceze dhe i kam sugjeruar se një trajner si De Biazi mund të bëjë shumë mirë me një kombëtare si kjo e Skocisë, e cila nuk është një kombëtare yjesh, një kombëtare e madhe pra, por është një kombëtare që ka nevojë për një trajner tipik alla De Biazi, i cili di të organizojë një komb siç është Skocia, ta drejtojë e organizojë nga ana taktike dhe të arrijë t’i marrë maksimumin. Për momentin kombëtarja skoceze është pa trajner, sapo ka refuzuar një ofertë që zyrtare edhe Majkëll O’Nil, trajneri i Irlandës së Veriut. Janë shumë emra në listë, gjithsesi, nuk mendoj se mund të realizohet kjo lëvizje e De Biazit si trajner i Skocisë, por një përqindje e vogël e shanseve edhe mund të ekzistojë.
– Në Skoci keni kaluar një pjesë të jetës suaj dhe keni lënë gjurmë, por nuk e patët kurrë fatin të ndesheshit me Skocinë, kur luanit për kombëtaren tonë.
– Dëshira ka qenë gjithmonë dhe kam shpresuar që në një moment, në një nga eliminatoret kur unë isha aktiv në futboll, kisha dëshirë të përfaqësoja Shqipërinë përballë Skocisë. Fatkeqësisht kjo nuk ka ndodhur, do doja shumë të isha ende në aktivitet si futbollist, por mund të them që më vjen mirë që erdhi momenti që Skocia dhe Shqipëria të provojnë forcat përballë njëra-tjetrës. Do të jem shumë kurioz për për të parë se si këto dy skuadra do të ballafaqohen me njëra-tjetrën dhe do të jetë shumë interesant edhe rezultati. Do të më kishte ardhur shumë mirë dhe do të ndihesha shumë krenar sikur kombëtarja jonë të bëjë një paraqitje të mirë dhe të dalë dominuese dhe triumfuese në këto dy takime kundër Skocisë.


– Nëse ju pyet Panuçi për Skocinë?
– Panuçi që është një person mjaft i përgatitur nga ana profesionale dhe jam i sigurt se ka për të pasur mundësitë të marrë informacione maksimale për kombëtaren skoceze. Në të njëjtën kohë, sigurisht që unë jam në dispozicion dhe i disponueshëm në çdo moment, nëse është e nevojshme, një mendim, aspo një ndihmë sado e vogël. Unë do të jepja maksimumin tij që t’i shërbej sadopak.
– Nga suksesi De Biazi, te i riu Panuçi, një krahasim me sa kemi parë?
– De Biazi, bëri shumë, bëri mirë, ka lënë mbrapa një skuadër të mirëorganizuar. Për momentin nuk mund të dalë në një konkluzion përfundimtar se si do të jetë kombëtarja e Panuçit. Kemi parë disa ndeshje të tij, por ndoshta nuk kemi parë akoma kombëtaren e Panuçit të vërtetë. Tani fillon muzika e Panuçit, dhe shpresoj që Panuçi ta çojë më përpara këtë kombëtare, e cila i ka të gjitha mundësitë të bëjë paraqitje shumë të mirë në këtë edicion të eliminatoreve të kupës së kombeve.
– Një nga dy djemtë e tu, që po rritet si futbollist me ekipet e moshave të Skocisë, duke qenë se ka dy pasaporta, me cilën kombëtare do të dëshironte Vata që djali të përfaqësohej?
– Kjo është një pyetje që ndoshta do t’i bëhet djalit tim, i cili do të jetë krejt i lirë për të marrë një vendim të lirë, një vendim me vullnetin e tij të plotë. Sigurisht që dëshira e ime do të ishte që ai të përfaqësonte kombëtaren shqiptare, por përderisa ai ka lindur në një vend siç është Skocia, dhe ka mundësi që jo vetëm me kombëtaren shqiptare të bëjë një zgjedhje, sepse ka mundësinë edhe me kombëtaren irlandeze duke qenë se nënë e tij është edhe gjysmë irlandeze. Por, siç e thashë, djali është në hapat e parë, duke punuar shumë mirë, është duke bërë një progres shumë cilësor. Kur të vijë moment, ai do të jetë i qetë dhe i lirë për të vendosë. Sigurisht që unë do të jem i pari që do të pyetem se çfarë mendoj, mendimi im dihet, është i qartë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *