Koment nga Anton Cicani
Ka vetëm pak ditë që ka nisur fushata elektorale (pardon!), fushata për të shpalosur idetë, platformën, projektet dhe sidomos përcjellë bindjen me fjalinë tipike “do të bëj gjëra të mëdha kur të vij në pushtet”… Si rrallëherë, ka një garë të vërtetë. Një garë ku palët nuk fshihen, ku thumbohen nga larg dhe ku preferojnë që të hiqen engjëj dhe djaj. E nisin duke thënë se duhet të ketë “fair play” dhe më pas kalojnë te akuzat personale, duke përdorur gjithmonë atë “parantezën” zoti “X” dhe zoti “Y”. Diskutimi i tyre është si ai lumi që rrjedh qetësisht, por që në mbrëmje kur të gjithë flenë dëgjohet shumë. Janë të kundërt, por shumë të ngjashëm. Dhe, nëse njëri e ka karrigen, tjetri e synon atë. Dhe nëse njëri ndodhet aty prej 16 vjetësh, tjetri dëshiron që provojë atë eksperiencë të paktën për gjysmën e viteve.
Sepse, ta themi hapur: sot, të jesh kreu i futbollit në Shqipëri është diçka e madhe dhe e jashtëzakonshme. Iku koha e bukës me vete, e udhëtimeve me tren, e dietave dhe e plaçkave të falura. Ajo e topit të leckës, ajo e një kombëtare që nuk kishte mundësi të dilte jashtë vendit… Nga ajo kohë, sigurisht, pengu më i madh janë “stofa” e lojtarëve që e jetuan dhe shkallët e stadiumit, aty ku nuk mund të hidhje kokrrën e mollës, ndërsa sot mund të zbarkosh dhjetëra kontenierë me mollë. Lufta për pushtet mund të jetë e tmerrshme, por lufta për thërrimet e pushtetit është patetike. Pikërisht kjo e dyta është edhe ajo që të tmerron.
Pafytyrësi, valëvitje sipas erës dhe pole të kundërta që kthehen të njëjtë. Interesa, ndërthurje, politikë, borxhe të vjetra dhe të reja, por edhe miqësi. Dhe, nëse dikush kërkon të hedhë hi syve duke thënë që nuk po përdor asgjë për të fituar, mos i besoni. “Qëllimi justifikon mjetet” thoshte Makiaveli. Dhe, ajo karrige është thuajse e barabartë me atë të kryeministrit. Por, ajo karrige djeg shumë në prapanica, nëse nuk di ta drejtosh siç duhet. Sepse, njerëzit duan fakte, duan vepra. Kualifikimi i Shqipërisë në Francë ishte arritja më e madhe e vendit tonë. Sot, nëse futbolli do të vendosej në një planimetri me politikën, do të fitonte bindshëm…
Natyrisht, është ende vite dritë larg, krahasuar me vendet e tjera, por nuk mund t’i kërkosh dikujt të kalojë oqeanin me një varkë me vela… E lehtë të synosh pushtetin, por sa e vështirë ta mbash. Dhe, pikërisht veprat janë ato që dallojnë artistët më të mëdhenj. Disa janë harruar, i ka humbur emri dhe firma. Të tjerë si Leonardo Da Vinçi, Mikelanxhelo, Bethoven, Mozart e kështu me radhë, janë ende ajka e ajkës…
Nuk dua të ndalem në dy emrat që kandidojnë për kreun e federatës shqiptare të futbollit, pasi njëri vjen nga “fusha” ku ka “luajtur” për 16 vjet, ndërsa tjetri nga foltorja ku ka “folur” prej më shumë se dy dekadash… Këtu flitet për të vetmin sport që na ka nderuar deri tani, duke parë sportet e tjera që po na marrin fytyrën më shumë se sa na e ka marrë politika dhe tragjikomedia e përditshme që dëgjojmë dhe lexojmë.
Dhe, nëse ëndrra për atë karrige është shumë e madhe, atëherë duhet që edhe dëshira për të ndryshuar dhe rritur akoma më shumë këtë produkt të jetë në linjë. Ndryshe, pushteti mbetet thjesht një interes për të qenë më lart dhe për të mos qenë servil. Sepse, pikërisht këto dy kategori mund të jenë përkufizimi i një njeriu. Ose je servil, ose ke pushtetin. Në mes, vështirë të jetosh!