Kukësi është kthyer në Shqipëri dhe ka nisur stërvitjen në prag të rinisjes së sezonit, por ndërkohë klubi ka organizuar një tjetër miqësore. Të shtunën pasdite, ora 15:00, do të zhvillohet në Pezë-Helmës një miqësore me Dinamon, rival të cilin Kukësi e pati përballë edhe në verë.
Do të jetë një tjetër test për të provuar lojtarë dhe për të përmirësuar skemën që ka në mendje trajneri Peter Pakult, i cili për RTSH Sport shprehet: “Pjesa më e mirë e grumbullimit ishte njohja me ekipin. Testeve miqësore nuk u jap rëndësi, pasi kanë vlerë vetëm përgatitore. Shkoi mirë përgatitja dimërore, por duhet të përgatitemi për ndeshjen e radhës në kampionat. Në kokën time e kam të qartë sesi duhet të luajë Kukësi, por do të shohim sesi mund të përmirësohet kjo skemë. Kur të mbyllet përfundimisht merkatoja, atëherë do të jetë çdo gjë e qartë sa i përket skemave të lojës që do të praktikojmë”.