Nejmar shënon 4 gola, teksa Kavani barazon rekordin e Zlatan Ibrahimoviçit
Paris SG-ja ka shpërthyer në kampionat kundër Dizhonit, duke arritur një fitore me përmasa të mëdha 8-0! Të gjithë yjet e PSG-së kanë shënuar, Di Maria, Kavani, Nejmar e Mbape. Kjo ka qenë një mbrëmje e veçantë për nënkampionët e Francës, teksa Nejmar ka shënuar 4 gola, ndërsa Edinson Kavani ka barazuar rekordin e Zlatan Ibrahimoviç si golashënuesi më i mirë në historinë e klubit me 156 rrjeta. Falë kësaj fitore, Parisi ka kthyer diferencën prej 11 pikësh me Olimpikun e Marsejës.
Nejmar ka qenë në formë të shkëlqyer në takimn e djeshëm, teksa veç katër golave ka dhënë dhe dy pasime për gol, duke u bërë i pari lojtar në pesë kampionatet më të fortë në Evropë që arrin kuotën e 10 asisteve në këtë sezon. Serinë e golave për Parisin e ka çelur Di Maria, i cili në 15 minutat e para ka shënuar dy herë (4’, 15’). Në pjesën e parë kanë shënuar dhe Edinson Kavani (21’) dhe Nejmar tri minuta nga fundi i kësaj pjese. PS-ja nuk e ka ndalur vrullin as në pjesën e dytë ku tri herë Nejmar (57’, 73’, 83’ pen) dhe Mbape (77’) i kanë dhënë përmasa të mëdha suksesit të kryesuesve të Ligue 1.