Edon Hasani ka luajtur sot ndeshjen e parë me klubin e tij të ri, Sepahanin, por nuk i ka shkuar ashtu si priste dhe shpresonte. Sepahani u mund në fushën e vet 2-1 nga Zob Ahani, një disfatë që ia ndërlikon sërish renditjen, që ishte përmirësuar ndjeshëm pas 5 pikëve në 3 ndeshjet e shkuara.
Hasani është bashkuar me Sepahanin që në dhjetor, por ka nisur të stërvitet vetëm ditët e fundit, pasi kishte shkuar në Iran me një dëmtim të lehtë.
Gjithsesi, Sepahani pësoi gol që në minutën e 12-të sot dhe trajneri Zllatko Kranjçar hodhi në fushë Hasanin në pjesën e dytë, në minutën e 82-të.
Mesfushori shkodran u mundua jo pak, por në fund Zob Ahan përfitoi nga një gafë e mbrojtjes dhe shënoi sërish (88′), ndërsa vetëm në shtesë Sepahani shkurtoi nga pika e bardhë. Disfata shton presionin mbi Sepahanin, sepse vendi i parafundit është tashmë vetëm 4 pikë larg, nga 6 që ishte para ndeshjes.