Niko Zisi, dëshira e fundit te Flamurtari

Mesfushori i Bylisit në listën e Duros për vlonjatët. 22-vjeçari ka tërhequr vëmendjen me paraqitjet e tij, por në Ballsh nuk heqin dorë kollaj prej tij

Elton Nika

A mund të quhet e mbyllur merkatoja e Flamurtarit? Në fakt nuk duket plotësisht kështu. Në dëshirat e klubit vlonjat mbetet edhe një tjetër lojtar. Bëhet fjalë për mesfushorin me tipare sulmuese të skuadrës së Bylisit, Niko Zisi. Një lojtar që gjatë pjesës së parë të sezonit ka bërë mjaft mirë tek skuadra mallakastriote dhe ka rënë në sy të shumë skuadrave të Superiores. Vlonjatët janë një hap përpara të tjerëve për të siguruar shërbimet e lojtarit fierak të Bylis, klub që ka marrë pak kohë më parë edhe një ofertë zyrtare nga ana e Teutës.

Mësohet se trajneri Shpëtim Duro e pëlqen shumë lojtarin në fjalë, ndaj edhe kërkon ta bëjë sa më shpejt pjesë të skuadrës së Flamurtarit. Pengesë të paktën për momentin mbetet kontrata që lojtari ka me skuadrën ballshiote. Flamurtari do të fusë në lojë për të pasur shërbimet e lojtarit edhe ndonjë huazim drejt Bylisit, çka mund të ulë pretendimet e klubit mallakastriot. Megjithatë në ditët në vijim pritet të mësohet më tepër për një lëvizje të tillë. Një tjetër opsion është edhe ai që lojtari të firmosë me Flamurtarin, por deri në fund të sezonit të vijojë të luajë tek Bylis dhe në fund të majit t’i bashkohet Flamurtarit. Megjithatë ka një dëshirë të madhe që lojtari të jetë sa më shpejt nën urdhrat e trajnerit Duro, ndaj në ditët në vijim priten zhvillime të tjera rreth këtij transferimi, që do të ishte i pesti për vlonjatët në këtë merkato dimri. Niko Zisi ka shënuar deri më tani gjashtë gola me skuadrën e Bylisit, ndërsa burime nga klubi vlonjat kanë saktësuar se çmimi i vendosur nga Bylisi për të lënë të lirë lojtarin është rreth 30 mijë euro. Nëse një pagesë e tillë kryhet në ditët në vijim, atëherë në pjesën e dytë të sezonit lojtari do të luajë për ngjyrat e Flamurtarit.

MIQËSORET
Sikurse edhe njoftuam një ditë më parë, nesër Flamurtari luan ndeshjen e parë në Turqi dhe tashmë ka ardhur edhe zyrtarizimi nga klubi vlonjat. Ndeshja e parë miqësore e kuqezinjve në fazën përgatitore në Antalia do të jetë përballë skuadrës së kategorisë së dytë turke, BB Erzurumspor. Skuadra në fjalë renditet në vend të shtatë në kategorinë e dytë turke, duke grumbulluar deri më tani 24 pikë pas 6 fitoreve, 6 barazimeve dhe 5 humbjeve. Skuadra turke nuk ka pretendime për t’u ngjitur në elitën e futbollit turk, pasi ndodhet aktualisht plot 10 pikë larg vendit të parë, megjithatë synon të renditet në fund të kampionatit në një nga vendet e nderit. Bëhet fjalë për një skuadër të krijuar në vitin 2005 dhe vit pas viti ka rritur pretendimet e veta. Ndërkohë në datë 15 janar vlonjatët do të luajnë miqësoren e dytë në Turqi, por këtë radhë bëhet fjalë për një test disa herë më të vështirë, përballë ish-skuadrës së mesfushorit Muarem Muarem, kazakëve të Aktobe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *