Mile: Egnatia po korr çfarë ka mbjellur, tani duam Superioren

“Jemi një skuadër me “pesë yje”. Tani po vijnë rezultatet e punës kolosale në klubin tonë”

Fatmir Efica

Ndodhi ajo që pritej. Falë këmbënguljes dhe vendosmërisë në fushë të tërë skuadrës, Egnatia është shpërblyer me fitore duke mundur kryesuesen aktuale të renditjes, Kastriotin e Krujës. Kapiteni i skuadrës rrogozhinase, një nga futbollistët më me përvojë, i shndërruar tashmë në një simbol te ky ekip, ka folur dje posaçërisht për “Sport Ekspres”, për suksesin e merituar ndaj krutanëve duke evidentuar si më parësore te Egnatia frymën e grupit, por edhe optimizmin për vazhdimësinë. “Synimet tona si skuadër ku po investohet fort, tashmë janë të qarta. Ne nuk do të ndalemi në rrugën për ta ngjitur e rikthyer Egnatian sërish në Kategorinë Superiore, pasi kemi një skuadër që po punon shumë seriozisht për të përmbushur misionin e saj,-është ky mesazhi që Vangjel Mile jep në intervistën e tij për “Sport Ekspres”…

Mile, një sukses tashmë i realizuar bukur fitorja me Kastriotin kryesues.

Në dy ditë që u luajtën dy pjesët e kësaj ndeshje, ne e merituam rezultatin final që ishte fitorja. Por, kemi treguar më shumë grintë e karakter në fushë në më shumë se tre çerekët e kohës së lojës. Madje, me pak kujdes mund të kishim fituar me një rezultat edhe më të pastër…

Si e vlerësoni vazhdimësinë tani që diferenca me krutanët është ngushtuar?

E konsideroj një garë të hapur çështjen e përfshirjes tashmë plotësisht edhe të Egnatias në pretendimet për kreun e renditjes dhe ngjitjes e rikthimit për të dytën herë në elitën e futbollit shqiptar ku kemi qenë në sezonin 2004-05.

Si kapiten, çfarë veçorish po spikasin sipas jush te performaca që paraqet Egnatia?

Së pari, shpirti i sakrificës dhe loja kolektive. Ka natyrisht një përbërje të mirë harmonizuar për sa i takon përvojave që kanë futbollistët. Edhe lojtarët nigerianë që erdhën disi me vonesë janë ambientuar më së miri. Mobilizimi në stërvitje është shpërblyer me ndeshjet e bukura që kemi luajtur, sidomos nëpër transferta.

Ndeshja e fundit e vitit 2017 është ndaj Korabit në Peshkopi. Si e parashikoni?

Nuk ka tanimë asnjë ndeshje të lehtë. Edhe Korabi është një ekip që do të vlerësohet maksimalisht nga ana jonë. Do të shkojmë në Peshkopi të bëjmë të njëjtën lojë të mirë e të bukur si ndaj Dinamos, Besës, Burrelit e Vllaznisë B, transferta këto ku kemi siguruar pikët e plota me lojëra e rezultate bindëse.

Nëse fitoni ndaj Korabit për takimet jashtë bëheni një ekip me “pesë yje”.

Nuk ka vend për eufori dhe pavarësisht pozicionimit në vendin e dytë dhe hapjes së garës për kreun e grupit që e synojnë dhe dy ekipet të tjera si Kastrioti e Besëlidhja, ne duam të japim e marrim maksimumin në ndeshjen e fundit për këtë vit dhe t’i bëjmë një mbyllje dinjitoze gjysmës së parë të këtij sezoni.

A a ka nevojë Egnatia për merkato?

Pse jo. Mirë do të jetë. Por, ky proces më tepër është në dorë të drejtuesve. Janë ata që do të marrin vendimet e duhura, siç kanë bërë deri më tani me shumë pozitivitet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *