Morina e Kaja nuk duken në stërvitje. Kaloshi e Isufi duket se nuk do të jenë më pjesë e klubit verdhezi. Festim Miraka që ka luajtur me Luftëtarin do të jetë portieri i ri
Fatmir Efica
Përtej mungesës së rezultateve në 6 javët e fundit, te Besa aktualisht po “ziejnë” dy çështje. Të cilat, çuditërisht “ngritën kokë” më herët nga ç’duhet. Situata duket se po ja bën “bam” në Kavajë dhe mungesa e rezultateve, me sa duket nuk është thjesht çështje taktike!
MORINA – Nga ndeshja e humbur me Kastriotin në Kavajë, për shkak të një dëmtimi siç kishte deklaruar, sulmuesi kryeqytetas Mario Morina ka munguar në stërvitje. Drejtuesit e Besës ngrenë supet në lidhje me vetëlargimin dhe mungesën e futbollistit në stërvitje. Ai kishte ardhur edhe dy ditë si “vizitor” pa dalë në stërvitje, kur Besa pati ndeshjen në transfertë me Korabin. Prej ndërprerjes së kampionatit nga ndeshja e Kombëtares në Turqi, u mendua se koha që të rehabilitohej nga dëmtimi do të ishte më se e mjaftueshme për lojtarin. Por, Morina e ka mbyllur me mosparaqitje në stërvitje mungesat e tij në ekipin e Besës. Duhet thënë se futbollisti erdhi me shumë bujë në Kavajë, por duket se palët janë ndarë para kohe.
KAJA – E habitshme, por e vërtetë çështja e një mungese tjetër. E qendërmbrojtësit më përvojë, kavajasit Ervis Kaja tani me banim në Tiranë. Futbollisti nga mesjava e kaluar nuk ka ardhur më në stërvitje, e madje nuk u paraqit të ishte prezent edhe për ndeshjen e fundit të së shtunës së kaluar që Besa humbi ndaj Besëlidhjes. Për të dy këta lojtarë është konfirmuar nga drejtuesit e stafit teknik të Besës se nuk ka çështje pagesash. Rrogat e tyre janë kaluar si për të gjithë futbollistët e tjerë me shumë korrektesë në bankë nga ana e Bashkisë së Kavajës.
PORTA – Ndërkohë, pas ndeshjes së fundit të humbur ndaj lezhjanëve, portieri i ri i Ariol Kaloshi i ardhur nga Tomori në fillim të këtij sezoni nuk është paraqitur më në ekipin e Besës. Duket se ky do të jetë “divorci” i parë në këto momente, kur duhen edhe disa ditë të nisin pushimet për festat e fundvitit. Është afruar, pavarësisht faktit se nuk ka mundësi aktivizimi për ndeshjen e kësaj fundjave në transfertë me Tërbunin, portieri me mjaft përvojë Festim Miraka që ka bërë prezantimin e tij gjatë kësaj jave te ekipi kavajas. Nga sa mësuam prej trajnerit të portierëve të Besës Kastriot Rama, për vetë kushtet pas largimit të Ariel Kaloshit e dëmtimit të Rexhepajt, duket se do të ketë së shpejti një akord mes tij dhe drejtuesve të Besës për të vijuar karrierën në Kavajë në gjysmën e dytë të këtij sezoni. Momentalisht te Besa portën për ndeshjen e fundit do ta mbrojë portieri i talentuar i skuadrës së të rinjve U-19 Bruno Puja, i cili kreu debutimin e tij duke luajtur në 31 minutat e fundit të ndeshjes së kaluar me Besëlidhjen.
ISUFI – Edhe mesfushori tjetër Enea Isufi, i ardhur po nga Tomori, thuajse i ka shkëputur përfundimisht lidhjet e tij me ekipin kavajas. Isufi në fazën e parë pati luajtur gjithsej 148 minuta me fanellën verdhezi.
DËMTIMET – Problemet e tjera që e kanë ndërlikuar jo pak situatën mbi mungesën në takimet e fundit të rezultateve pozitive, kanë të bëjnë me dëmtimin e ngadalësinë e riaftësimit për disa lojtarë të konsideruar titullarë, duke filluar që nga portieri Marat Rexhepaj, mesfushorët Mirel Duka dhe Edmond Hoxha dhe sulmuesit Emrush Kaloshi e Tedi Cara.