Përse Lushnja nuk është “e rënë me deklare”

Lushnja nuk u ngjan skuadrave të tjera që në sezonet e shkuara mbante vendin e fundit dhe dorëzohej pa mbërritur viti i ri. Sigurisht që Lushnja për një mijë arsye mund të jetë ende skuadra që rrezikon më shumë rënien nga të tjera, por ky perceptim nuk vjen nga efektet anësore, por ndoshta një grupi që nuk e ka cilësinë e duhur në fushën e lojës.

Elbasani, Tërbuni dhe Korabi janë tre skuadrat që në tre sezonet e fundit kanë rënë me ‘deklare’ nga kategoria dhe rënia ka ardhur sidomos nga problemet e mëdha financiare që këto klube kanë pasur. Në të tri rastet klubet që kanë shoqëri aksionere nuk u janë përgjigjur lojtarëve dhe vonesat në pagesa kanë prodhuar tensione të brendshme dhe largim futbollistësh. Gjithashtu, të tri klubet janë përfshirë në situata të çuditshme dhe shpesh ndeshjet më shumë se sa shpresë për qëndrim, janë shndërruar në tender mes ekipeve që dëshironin që, këto që nuk mbijetonin më, të dëmtonin rivalët direktë.

Lushnja është ndryshe. E para, pikët i ka për të shpresuar. Është 7 pikë nga qëndrimi në superiore dhe në këtë kampionat ku diferencat janë të vogla Lushnja nuk ka pse mos shpresojë, sidomos kur sheh që është e aftë të fitojë në Kukës dhe të luajë mirë kundër Skënderbeut.

Lushnja ka një avantazh me logjikën e skuadrave të shkuara që përpëliteshin në fund të renditjes: pagesat e lojtarëve janë super korrekte, ata çdo muaj marrin rrogën për të cilën kanë firmosur dhe askush nuk ankohet për vonesa.

Patjetër që një qytet si Lushnja kërkon një zgjidhje më të madhe se kjo korrektësi minimale, sepse është një qytet me potencial biznesi dhe me një tifozeri të madhe, por të paktën në këtë sezon po tregohen shumë dinjitozë. E ardhmja gjithsesi duhet të ndryshojë, bashkia duhet të konsiderojë partnerët nga biznesi për të zhvilluar klubin dhe futbollin e qytetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *