Për ata që nuk kanë pasur fatin të shohin ndeshjet e fundit të Luftëtarit, mund ta përmbledhim kështu: Superiorja ka rigjetur mrekullinë e sezonit të shkuar, skuadrën që ndoshta është e vetmja që tenton të luajë në sulm për 90 minuta. I ka kushtuar shtrenjtë këtë sezon, sepse në mbrojtje nuk është skuadra solide e sezonit të shkuar dhe në sulm nuk ka pasur një pikë referimi, përveçse i është kthyer gjithçka kundër, nga arbitrat e deri te fati.
Do vinte dita që të hapej thesi dhe fatin e zi e pati Partizani sot, që në 90 minuta provoi gjithë furinë gjirokastrite, një skuadër që krijon aq shumë lojë e raste, saqë edhe vetë lojtarët habiten se si shënojnë aq pak.
Mund të lëvdojmë pa fund drejtuesit apo trajnerin Lika, por e vërteta është që heronjtë e mëdhenj të Luftëtarit janë ata që zbresin në fushë, nga portieri Ruçi, i cili çdo ndeshje duron romuzet nga tribuna e deri te Dejvi Bregu, i cili vrapon sa për dy, shënon e krijon, por kritikohet sapo humbet ndonjë rast për shënim, sepse e paska mendjen që të largohet. Në fakt, tifozët e Luftëtarit gabohen, gabohen rëndë.
Së pari, ata nuk janë në stadium dhe kjo është e turpshme. Ky Luftëtar meriton më shumë se 300-400 vetë për ndeshje, të cilët kryesisht merren me Hasan Likën, me portierin, me gafat e mbrojtjes dhe me rastet që humbasin sulmuesit. Do ishte një ndihmë shumë më e madhe nëse do heshtnin, apo do të brohorisnin herë pas here, jo gjithë ndeshjen, sepse nuk jemi nga ato lule ne shqiptarët. Për ne mjafton një qese fara luledielli dhe në fund pyesim sa doli ndeshja.
Së dyti, kjo skuadër, e përbërë nga gjirokastritë dhe jabanxhinj, po bën sforcime titanike në një kampionat “ujqish”, ku disa kanë gurin e arrën dhe disa kanë eksperiencë shumë më të madhe. Të mos fitosh edhe kur luan mirë, shpesh duke lënë pikë jo për fajin tënd, rëndon shumë psikologjikisht dhe Luftëtari është i përbërë nga djem të rinj, që thjesht duan mbështetje. Mbështetje morale në radhë të parë, por edhe financiare. Ndoshta, po themi vetëm ndoshta, kriza e rezultateve mund të jetë shoqëruar edhe me ndonjë pagë të vonuar, diçka që ndodh rëndom në Shqipëri, ndaj zor se bën përjashtim edhe Luftëtari, që fundja nuk është një ndër klubet më të pasur në Superiore dhe mbahet me shumë sakrifica.
Gjirokastritët duhet t’i largohen namit të vet si kursimtarë të mëdhenj, nuk kursehen 200 lek për të shkuar në stadium, pasi Gjirokastra, me gjithë respektin, nuk është se ka pafundësi gjërash për t’u krenuar më shumë sesa me skuadrën aktuale të futbollit. Ndoshta do të kujtohen si kofini pas të vjelit, që të qajnë “të vdekurin”, kur të largohen një nga një yjet aktualë, ata që i dhanë Partizanit dajakun më të rëndë në histori dhe i kanë dhuruar Superiores futbollin më të bukur në dy sezonet e fundit.