Infantino nën akuzë, lejoi faljen e Fenerbahçes pas skandalit turk

Presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, është vënë nën akuzë dhe ka lejuar një sjellje të butë ndaj trukimit të ndeshjeve, kur ai ishte sekretar i përgjithshëm i UEFA-s në periudhën kur në Turqi plasën disa skandale, në vitet 2010-2011.

Fenerbahçe fitoi titullin në vitin 2011 për shkak të golaverazhit më të mirë se Trabzonspori, por më pas 36 persona u arrestuan për trukim ndeshjes, përfshirë zyrtarë, lojtarë dhe presidentin e Fenerbahçes, Aziz Jildirim. Megjithatë, në vitin 2015 presidenti turk Rexhep Erdogan shfuqizoi gjykatat speciale që u morën me çështjet e Fenerbahçes, duke hedhur poshtë edhe akuzat ndaj të dënuarve.

Në vitin 2011 edhe UEFA e përjashtoi Fenerbahçen nga kompeticionet e saj për dy sezone, duke deklaruar luftë të hapur ndaj manipulimeve.

Megjithatë, në janar 2012 Federata Turke vendosi të aplikonte dënime më të lehta se në rregulloren e saj, duke evituar zbritjen e Fenerbahçes nga kategoria. Ajo zgjedhje erdhi edhe nga frika se zbritja e Fenerbahçes një kategori më poshtë do të njolloste imazhin e kampionatit dhe do të ulte ndjeshëm të ardhurat nga të drejtat televizive.

Sekretari i përgjithshëm i Federatës Turke, Ebru Koksal, i shkroi Infantinos më 19 janar 2012, duke i kërkuar nëse UEFA e lejonte ndryshimin e rregullores së brendshme të Federatës Turke. Sipas kësaj të fundit, Fenerbahçe mund të dënohej vetëm me përjashtim nga kupat e Europës, gjobë, 12 pikë minus dhe heqje të titullit kampion, por jo zbritje nga kategoria.

Një ditë më pas Infantino u përgjigj: “Ndryshimi në rregullore nuk shkel rregullat e FIFA-s. Detyra e vendimit për këtë çështje i takon së pari Federatës Turke. Mund të themi se duke marrë parasysh rrethanat, propozimi juaj duket i arsyeshëm”.

Në atë kohë presidenti i Federatës Turke, Mehmet Ali Ajdinlar, tha se marrëveshja me UEFA-n u arrit për të evituar që klubet turke të humbnin shuma të mëdha parash.

Pala e vetme e dëmtuar në atë histori iste Trabzonspori, që kërkoi titullin duke qenë se Fenerbahçe rezultoi fajtore. Klubi nga Trabzoni e ka vijuar betejën në UEFA dhe në CAS, ndërsa tani do të vijojë luftën edhe në FIFA, sepse Fenerbahçes nuk iu hoq kurrë titulli, edhe pse propozimi i Federatës Turke për UEFA-n ishte i tillë.

Erdem Egemen, një avokat që përfaqëson Trabzonspor-in, tha për britaniken The Guardian: “Ne kundërshtojmë sjelljen e Federatës Turke, që nuk zbatoi masën e vet disiplinore. Duam që Fenerbahçes t’i hiqet titulli dhe t’i kalojë Trabzonsporit. Federata ka dhunuar rregulloren e vet dhe principet e UEFA-s për Fair-Play dhe tolerancë zero. Nuk e kuptojmë dhe as e justifikojmë sjelljen e Infantinos dhe bashkëpunimin e UEFA-s në këtë histori”.

Një zëdhënës i Mishel Platinisë tha se ish-presidenti i UEFA-s nuk dinte gjë për këtë çështje dhe nuk kishte dhënë ndonjë aprovim, sepse ishte Infantino ai që merrej me çështjet disiplinore.

Ndërkaq, UEFA nuk ka dhënë asnjë përgjigje të qartë, por me një deklaratë për mediat sqaron se “lista e dënimeve që vendosi Federata Turke ishte në një linjë me masat disiplinore që parashikon UEFA, në lidhje me ndeshjet e trukuara”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *