Që Partizani interesohet për talentin shkodran Erald Çinari, kjo nuk është diçka e re. Një gjë të tillë klubi i kuq e ka shfaqur haptazi prej dy vitesh. Dhe, shkak direkt që emri i tij të futet në rrumbullak të kuq nga drejtuesit e Partizanit kanë qenë dy gola mjeshtëror që ky futbollist i ka shënuar kësaj skuadre në dy sezonet e fundit futbollistik. Saktësisht, për nga radha, kjo është hera e tretë që drejtuesit e Partizanit shfaqin interes për futbollistin shkodran që ta bëjnë pjesë të tyre. Edhe pse realisht kuqeblutë nuk po kalojnë momente të mira, loja e Çinarit ka tërhequr jo pak interesin e specialistëve të klubit të kuq. Por, jo vetëm, sepse për hir të së vërtetës, për Çinarin sezonin e kaluar patën mbërritur në Shkodër edhe menaxherë të njohur nga Kroacia, por tratativat me drejtuesit e klubit Vllaznia që disponon kartonin e futbollistit, deri në fund të sezonit të ardhshëm, nuk shkuan si duhet.
Megjithatë, tani punët duken disi më ndryshe, sepse nga sa bëhet e ditur tek Partizani e kërkojnë me ngulm këtë futbollist, tek i cili pëlqejnë shumë elementët teknikë dhe taktikë, që i përshtatet edhe lojës që preferon të zhvillojë tekniku kryeqytetas, Sulejman Starova. Më së shumti, çështja Çinari ka marrë një vëmendje të plotë gjatë ditës së enjte, ku edhe janë bërë publike detaje të ndryshme për lëvizjen e tij. Por, realisht, në kontaktin që “Sport Ekspres” pati me vete futbollistin bëhet e ditur se për momentin nuk ka një bisedë konkrete mes dy palëve. “Unë falënderoj të gjithë ata që interesohen për mua, por më duhet të them se me mua nuk ka pasur ndonjë bisedë për këtë qëllim”, thotë Çinari duke shtuar se në vazhdim është tjetër punë se çfarë do të bëhet, sepse merkato akoma nuk është hapur.