Donaruma nxjerr blof Raiolën, agjenti: I dua të mirën atij dhe Milanit!

Pasi ka shpërthyer “stuhia”, duket se dje ka qenë dita e “qetësisë”, edhe pse telenovela “Donaruma” sapo është rindezur… Në fillim ka qenë Donaruma ai që ka hedhur poshtë ato që janë shkruar dhe thënë në lidhje me një email apo letër që i është dërguar Milanit në lidhje me “dhunën psikologjike” të hamendësuar  në drejtim të tij nga klubi përpara firmës, duke nxjerrë kështu blof agjentin Raiola, që ka vepruar me avokatin e tij.

I ftuar dje në festën e Krishtlindjeve të ekipit Primavera të Milanit, të ftuar special ishin Donaruma, Gatuzo, por edhe kapiteni Bonuçi e disa futbollistë të tjerë. Pikërisht Xhixho ka qenë në qendër të vëmendjes, duke qenë situatën që po kalon. Ai u pyet nëse e ka menduar ndonjëherë që të shënojë gol si portier, teksa ironia e fatit është se ai e pësoi nga një portier (Brinjoli i Beneventos).

Frika –  “E kam menduar shpesh, do të më pëlqente shumë të shënoja por fatkeqësisht e pësova unë një gol nga një portier. E kam ëndërruar gjithmonë, por nëse do të dal, do të thotë se po humbim ndaj është më mirë që të mos largohem nga porta. Idhulli si fëmijë? Jam tifoz i Milanit, ndaj është Abiati”, tha Donaruma i cili më parë kishte deklaruar se kishte pasur gjithmonë si shembull Bufon të Juventusit.

Tashmë, Xhanluxhi Donaruma ka frikë edhe të thotë atë që mendon dhe motivi lidhet me kontestimin në ndeshjen Milan-Verona për Kupën e Italisë, ku tifozeria kuqezi, “Curva Sud”, i ka kërkuar të largohet për sjelljen e tij në lidhje me të ardhmen dhe me pretendimet e hamendësuara se kishte firmosur nën shok psikologjik në verë… Kjo sepse deklarata “kam idhull Abiatin” bie ndesh me atë që ai ka thënë gjithmonë, pra që “idhull kam Bufonin”.

Megjithatë, po ditën e djeshme, portieri kuqezi ka dashur që të sqarojë gjithçka në lidhje me atë që është thënë dhe me kontestimet e tifozerisë… Në një postim në Instagram, portieri kuqezi, ka publikuar një foto me dorën lart në shenjë përshendetje për publikun dhe me trajnerin Gatuzo pranë tij, duke shkruar: “Ishte një mbrëmje e keqe që nuk e prisja. Nuk kam thënë kurrë që kam pësuar dhunë psikologjike kur kam firmosur kontratën. Gjithsesi, shoh përpara dhe mendjen tani e kam tek ndeshja e radhës… Forca Milan”. Praktikisht, një pozicion që mund të ndryshojë rrjedhën e ngjarjes tani e tutje…

Flet Raiola – Pas akuzave të drejtpërdrejta të Masimiliano Mirabelit, që ka sulmuar Mino Raiolën, vetë agjenti dje ka dalë me një komunikatë për shtyp: “Po marr shkas nga ajo që thotë Miabeli për mua dhe kundër meje, pasi jemi në një vend demokratik dhe mund të thotë atë që mendon. Mirabeli ka një problem me mua dhe përdor Xhixho Donarumën për të më sulmuar. Por, unë nuk e bëj një cirk mediatik dhe, dhe më shumë, nuk dua që të bëhet mbi lëkurën e Xhixhos. Do t’i përgjigjem Mirabelit në vendet e duhura dhe në momentin e duhur. Xhixho nuk hyn fare këtu dhe nuk ka bërë asgjë të keqe, ndaj nuk është e drejtë që të përdoret për luftën ndaj meje. Dhe, duket qartë që problemi i Milanit nuk është Xhixho, as Antonio… Çuditërisht, as Mirabeli dhe as klubi nuk kanë komentuar pankardën e shfaqur në stadiumin. Ne nuk i kemi vënë kurrë kusht Milanit që të marrë Antonion. Ishte një zgjedhje teknike e Mirabelit që tani duhet të mbrojë vetë. Dua t’iu kujtoj se gjatë verës kishte oferta ekonomike dhe profesionale për Xhixhon që asnjë futbollist nuk do të kishte refuzuar.

Por, Xhixho dhe familja e tij kanë bërë një zgjedhje zemre. Dhe, respektova këtë zgjedhje. Interesi im sot është që Xhixho të lihet i qetë dhe kështu mund të bëjë më të mirën. Ky duhet të jetë edhe prioriteti i drejtorit sportiv të Milanit. Dhe, nëse nuk është kështu, atëherë duhet të jetë e pronarëve apo përfaqësuesve të klubit të Milanit. Mirabelit i bëjnë mirë këto polemika, sepse heqin vëmendjen nga problemi i vërtetë i Milanit: projekti i tij teknik. Nuk kam asgjë kundër Milanit, madje uroj që Milani të arrijë suksesin. Kujtoj që 4 futbollistë në skuadrën e parë i kam nën tutelë dhe interesi im është që ata të ecin sa më shumë. Por, nuk është vetëm kjo, mendoj edhe që për futbollin italian është e rëndësishme që Milani të kthehet protagonist në Itali dhe në nivel ndërkombëtar. Tani erdhi Gatuzo që është një person për të cilin kam shumë simpati dhe respekt, ndaj i uroj më të mirën e mundshme.

Kam lexuar shumë gjëra false dhe absurde, që nuk ka sens të komentoj apo përgënjeshtroj. Për çështjet e kontratave të klientëve të mi nuk kam folur kurrë në publik dhe nuk do ta bëj tani. Kam vendosur prej kohësh një linjë të hapur bisede kortezhe dhe profesionale me doktor Fasonen që kam takuar edhe së fundmi. Nëse ka probleme dhe nëse do të jetë e nevojshme, do të takohem me Fasonen për të gjetur një zgjidhje. Por, jo vetëm për Xhixhon dhe Antonion, por edhe për futbollistët e tjerë që përfaqësoj te Milani”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *