Arrabal-Jonuzi, mësimi që u shërben kampionëve

Milinkoviç ka pranuar publikisht problemet në mesfushë, ndërkohë që në verë braziliani i Kamzës iu ofrua Kukësit, por nuk e deshën. Edhe për mesfushorin e Laçit ka pendesë
Vladimir Prenga
“Besoj shumë te ky trajner, sepse është korrekt dhe i ndershëm. I thotë gjërat siç i ndien dhe nuk mashtron, nuk justifikohet për gabimet e veta që bën. Unë i kam dhënë shanse jo pak, tre herë e ka kërkuar dorëheqjen. Kjo do të thotë se unë këtë trajner nuk e lëshoj kollaj, nuk e largoj sepse mendoj se nuk është faji i tij. Është faji i merkatos së dështuar të verës, edhe pse investimi dhe shpenzimi ishte sa dyfishi i vjetshëm dhe ne nuk e kemi ekipin as si i ekipi i vjetshëm”. Këto fjalë të Safet Gjicit, presidentit të Kukësit, thonë shumë. Kampionët kanë gabuar ne merkato dhe numri një i klubit tashmë ia ka besuar ndërtimin e skuadrës trajneri Milinkoviç, ndërkohë që edhe Ivan Gvodzenoviç ka nisur nga puna për të gjetur futbollistë në rajon. Por nëse kthehemi në merkaton e verës, gabimi i Kukësit e ka emrin Bruno Arrabal.

SUGJERIMI I BRAZILIANIT
Mesfushori 25-vjeçar prej dy vitesh kishte shkelur në Europë dhe me Etnikos Aknas në Qipro kishte luajtur rregullisht. Ky ishte një tregues mjaft i mirë se një lojtar i tillë mund të bëjë mirë në Superiore. Gazeta mëson se Kukësit i është propozuar Arrabal gjatë merkatos së verës, por te kampionët vendosën të afrojnë Millosh Kërkotiç, që vinte nga një kampionat më i dobët, ai malazez. Vetë Mlladen Milinkoviç, para ndeshjes me Laçin u shpreh se në mesfushë kanë probleme. “Po të shohim 11 javët e kaluara, shohim se kemi pësuar shumë gola. Për një ekip që pretendon të jetë kampion janë shumë gola të pësuar. Kur pëson shumë gola mendimi i parë që të shkon në mënje është se nuk shkon diçka në mbrojtje. Kemi bërë një analizë të hollësishme për golat e pësuar deri më tani. Ç’është e vërteta, ne po pësojmë gola shumë të lehtë, por nuk është vetëm mbrojtja që ka faj. Besoj se edhe në mesfushë kemi pasur probleme, nëse do kishim luajtur me më shumë agresivitet do kishim pasur dhe më pak probleme në mbrojtje”, ishin fjalët e thëna nga trajneri serb para ndeshjes me kurbinasit. Arrabal ua siguronte diçka të tillë, por nuk iu besua dhe tashmë i gëzon Kamza shërbimet e tij, madje ka edhe oferta të rëndësishme nag Superiorja. Naim Qarri “fërkon” duart…

PENDESA TJETËR
Për Arrabal me siguri te Kukësi janë penduar që nuk i kanë besuar, por jo vetëm. Janarin e shkuar kampionët lanë të lirë një “prodhim” tyrin, mesfushorin Fjoart Jonuzi. 18 ndeshje në tre sezone me Kukësin, të gjitha si zëvendësues dhe më pak se 300 minuta në fushën e blertë. Debutoi në Berat, në një ndeshje që Kukësi e humbi me Flamurtarin 2-1. Asokohe ekipi drejtohet nga Naxhi Shensoi. Me moshat e verilindorëve spikaste, ndërkohë që vëzhgohej edhe nga trajnerët e Kombëtareve të moshave, ka qenë pjesë e 19-vjeçarëve dhe pjesë e zboreve që bënin Shpresat. Te Kukësi nuk besuan dhe nuk ia dhanë mundësinë. Janarin e shkuar ia dhanë gati Laçit dhe në kampionat nuk ka humbur asnjë ndeshje që prej kur i është bashkuar kurbinasve. 18 ndeshje vjet, 14 deri më tani në kampionat. Jonuzi e ka nisur vetëm dy herë nga stoli dhe te Kukësi që vjet u penduan. Vetë presidenti Gjici ua ka shprehur diçka të tillë: “Hë, e shihni tani Jonuzin”. Sigurisht askush nuk ka asgjë për të thënë. Ndoshta tani duhet të mendojnë ndryshe dhe diçka ka lëvizur, me Valon Ethemin lojtarin e fituar nga verilindorët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *