Për trajnerin e korçarëve, nuk ka vend për tu shqetësuar pas humbjes në Laç. Ai pranon se skuadra ka qenë pak e lodhur dhe se do të kthehet bindshëm
Leonard Trebicka
Skënderbeu nuk ka pasur ritmin e mëparshëm në javët e fundit, teksa ka pësuar edhe humbjen e parë në kampionat, por të gjithë në kampin korçar gjykojnë se është diçka e pranueshme për një ekip që deri tani ka luajtur në tre kompeticione njëkohësisht. Trajneri Ilir Daja thekson se skuadra e tij është në rrugën e duhur, përderisa është në vend të parë, e shkëputur 6 pikë nga vendi i dytë dhe ka sulmin e mbrojtjen më të mirë. Ai pret që Skënderbeu të kthehet te fitorja sot në Kupën e Shqipërisë, por edhe në kampionat ndaj Lushnjës. Në intervistën e mëposhtme për Sport Ekspres, trajneri kryeqytetas ka folur edhe për merkaton e Skënderbeut.
– Daja, 3 barazime, 1 fitore dhe 1 humbje në 5 ndeshje. A janë për tu shqetësuar këto rezultate?
– Preferoj që rezultatet e ekipit të mos i ndaj në grupe ndeshjesh, por ti marr të gjitha në total. Kemi marrë 31 pikë në 14 javë dhe jemi të parët, 6 pikë më shumë se ndjekësi më i afërt. Kemi pikavarazhin më të mirë, sulmin më të mirë dhe mbrojtjen më të mirë të kampionatit. Besoj se të gjitha këto mjaftojnë për të treguar se jemi në rrugën e duhur. Nuk ka pse ta bëjmë dramë humbjen në Laç.
– Kanë kaluar dy ditë nga humbja e parë. Realisht, çfarë nuk shkoi për Skënderbeun në atë ndeshje?
– Nuk dua të krijoj alibi, por mendoj se vetëm në Shqipëri luhet një ndeshje 36 orë pasi ke luajtur në Europë. Shembullin e kemi nga Italia. Atalanta, që e luajti takimin në të njëjtën orë me ne në Europa League, e luan të martën ndeshjen në kampionat. Lacio po ashtu luajti të hënën. Besoj se në ndeshjen kundër Laçit bëmë një paraqitje të mirë, pasi e mbajtëm kundërshtarin në gjysmëfushën e vet. Humbëm shumë raste për shënim dhe mbi të gjitha kishim një ekip në pjesën më të madhe të lodhur nga ndeshja e 36 orëve më parë. Mungesat gjithashtu u ndjenë mjaft, sepse mungonte një pjesë e boshtit të ekipit, duke nisur nga Radas, Osmani, Soue apo Dita. Nuk ia heq meritën edhe Laçit, që diti të bëjë një ndeshje të bukur.
– Duket se mungesa e Souesë solli probleme në sulm?
– Ndodh kështu, pasi nuk kemi asnjë sulmues tjetër në dispozicion, për shkak të mungesës së Nesporit. Edhe Xhejms për disa ditë nuk ka qenë pjesë e grupit dhe e gjitha kjo ndikoi në atë takim.
– Diferenca me vendin e dytë është 6 pikë dhe përpara është transferta e Lushnjës, ku fitorja është detyrim, apo jo?
– Skënderbeu e ka detyrim fitoren në çdo ndeshje. Jemi duke bërë një sezon të mirë dhe për vetë objektivat që kemi si klub, kërkojmë fitoren kudo. Ndaj Lushnjës do të jetë një tjetër ndeshje delikate, pasi kampionati i tillë është. Por fillimisht të mendojmë për ndeshjen e nesërme (sotme) ndaj Besëlidhjes në Kupë.
– Do të ketë rotacion në këtë takim?
– Kupa është një tjetër objektiv, që duam ti shkojmë deri në fund. Duke parë mënyrën si u shpreh ekipi në ndeshjen e parë, mund të them se do të mundohemi të bëjmë rotacion, për tu dhënë mundësi lojtarëve të kenë minuta në këmbë dhe për të çlodhur një pjesë tjetër të ekipit.
– Merkato po afron. A i keni bërë planet për përforcimet?
– Ne si klub jemi shumë bashkëpunues. Kemi diskutuar rreth merkatos dhe me këtë punë tashmë janë duke u marrë personat e duhur. Gjithsesi, kemi ndërmend të bëjmë lëvizjet tona me aq sa na e lejon kjo merkato. Do të shohim çfarë mund të bëjmë për ta forcuar më shumë grupin dhe jo për ta mbushur me lojtarë. Duam lojtarë që të jenë determinantë për ekipin.
– Përforcimet në sulm duken të pashmangshme?
– Sigurisht, janë më të nevojshme, pasi është reparti më defiçitar nga lojtarët. Do të mundohemi të bëjmë zgjedhjet e duhura, por e përsëris, merret dikush tjetër me të tilla gjëra.
– Nuk ka ndonjë emër, që mund të jetë përforcimi i parë?
– Nuk jam unë ai që them emra dhe është shpejt për të thënë këtë që ju kërkoni. Nuk ka përfunduar viti 2017, ka ende ndeshje.