Ka luajtur 7 ndeshje në kampionatin e ri dhe ka shënuar 4 gola, një rendiment perfekt për Rexhinaldon, që e nisi sezonin me vonesë, për shkak dëmtimi. Sulmuesi nga Mozambiku, një ndër veteranët e Laçit, edhe pse vetëm 27 vjeç, shkëlqeu edhe dje, në kthimin në Gjirokastër, edhe pse nuk shënoi ndaj ish-skuadrës së tij. Pas ndeshjes, për “Sport Ekspres” Rexhinaldo foli për rikthimin në Gjirokastër: “Kthim emocionues, kam kaluar një periudhë mjaft të mirë në Gjirokastër dhe kam bërë shumë mirë. Kam respekt shumë për Gjirokastrën, por ky është futbolli. Ne erdhëm që të luajmë dhe të fitojmë ndeshjen, megjithatë morëm një pikë”.
Rexhinaldo i gëzohet barazimit, për mënyrën si erdhi: “Ne luanim për fitore, por pësuam gol shumë shpejt dhe nuk shënuam dot në shumë raste, ndaj nuk patëm kohë në fund për të tentuar fitoren. Një pikë nuk është keq, gjithsesi. Ne ishim të organizuar dhe luajtëm më mirë, e merituam barazimin, edhe pse goli erdhi vonë”. Gjatë ndeshjes Rexhinaldo u postua në krahun e majtë të sulmit, kur u fut Xhixha, por sqaron: “Unë jam sulmues qendror, por mund të luaj në momente të veçanta si sulmues krahu,nëse nevojitet”.