Besa në kaos, Sinella kërkon përforcime

Dy vende më poshtë ka zbritur Besa pas dështimit të dytë shtëpiak. Duket se po rikthehen “hijet” e tri viteve të fundit ku skuadra kavajase ka kaluar mjaft “peripeci”.

Fatmir Efica

Janari është ende larg. Trajneri Bledar Sinella i zhgënjyer nga rezultati ndaj Kastriotit në Kavajë deklaroi pas takimit se Besa ndjen domosdoshmërisht nevojën të kryejë të tjera lëvizje në organikën e saj. Kjo ngaqë janë një pjesë lojtarësh, kryesisht të ardhurit rishtas, që nuk kanë bindur. Për më tepër u mungon përvoja në një kampionat që ka vërtetë shumë presion.

ZBRITJA –  Tre humbjet radhazi, dy prej të cilave në Kavajë me Egnatian dhe Kastriotin dhe tjetra në transfertën me Vllazninë B, për Besën kanë dhënë tashmë efektin e zbritjes dy vende në renditje. Pavarësisht kësaj kavajasit nuk është se kanë ndërmend të “dorëzohen” kaq lehtë. Drejtuesit e stafit teknik kanë vendosur ta analizojnë sot para se të nisë seanca e javës së re anti- Korabi, gjithçka ndodhi në takimin e së dielës ndaj Kastriotit. Bën përshtypje fakti se ato ndeshje të startit, deri në javën e 5-të, të fituara me meritë e me rezultate të pastra (të gjitha me nga dy gola diferencë) nga skuadra kavajase, janë “harruar” kaq shpejt. Çuditërisht, në vend që ta motivonin edhe më shumë ekipin me shumë tradita të Besës, tri humbjet e fundit kanë rikthyer një atmosferë “gri” e cila i ngjan atyre “hijeve” aspak të mira të mjaft “peripecive” nga më të ndryshmet që Besa ka vuajtur gjatë tre viteve të fundit që po luan në Kategorinë e Parë duke munguar për të 4-in sezon radhazi të jetë, siç ka qenë në 67 sezone, pjesë e elitës së futbollit shqiptar.

KALENDARI – Si të mos mjaftonte kjo situatë e tre humbjeve radhazi, Besën e pret në vijim një kalendar “ferri”. Ndeshja e finishit të fazës së parë është në transfertën e largët dhe po aq të vështirë në Peshkopi ndaj Korabit. Ndërsa, ndeshja e parë e startit të fazës së dytë do të luhet në Tiranë me Dinamon. Një kalendar ndoshta jo aq i frikshëm, por që kërkon një vëmendje e vlerësim të veçantë në kushtet e momenteve jo dhe aq të mira që po kalon ekipi kavajas. Bindja është që në këto dy ndeshje jashtë “mureve” të shtëpisë Besa të mos e ndjejë demoralizimin që i ka ardhur përtej të tjerave, edhe për fajin e saj. Pritet megjithatë një reagim i shpejtë duke filluar nga sfida kësaj fundjave ndaj Korabit që merr gati karakter përcaktues.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *