Tavekio përlotet: Është faji i Venturës, e zgjodha para Montelës e De Biazit

Karlo Tavekio është nën shënjestër dhe refuzimi i tij për të lënë drejtimin e Federatës Italiane pas dështimit për të shkuar në Kupën e Botës ka bërë që në Itali ta shohin si një nga arsyet madhore të gjithë të këqijave në futbollin italian. Megjithatë, i intervistuar nga emisioni “Le Iene” në Italia 1, Tavekio shfryn dhe i përlotur thotë atë që mendon realisht: “Është një dështim teknik, është i tëri faji i trajnerit Ventura. Kundër Suedisë u bënë zgjedhje të gabuara formacioni. E vërtetë, e zgjodha unë, ky është faji im. Nuk jam aspak i qetë, nuk fle prej 4 ditësh. Luajtëm shumë keq, kishim përballë lojtarë 1.90 të gjatë dhe hidhnim krose në qendër, ndërkohë që duhej të luanim me lojtarë të vegjël e të shpejtë, por i mbajtëm në stol. Nuk e di si mund të lihet jashtë Insinje, ia thashë stafit që para ndeshjes”.

Zgjedhja e Venturës ishte e detyruar: “E thirra në bazë të rrethanave të momentit. Vetëm ai, De Biazi dhe Montela ishin në treg. Zgjodha duke marrë për bazë edhe këshillat e lojtarëve më të rëndësishëm, për mua emri ishte Donadoni, por presidenti i Bolonjës kundërshtoi”.

Emrat e preferuar për të ardhmen në stolin italian: “Alegri, Mançini e Ançeloti, këta janë emrat, le të themi një zjarr i vogël. Po Konte? Zjarr”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *