Tirana bind ndaj Apolonisë, Ze Maria i kënaqur nga rotacioni

Revolucion në skuadrën bardheblu pas humbjes me Bylisin. Ze Maria lë në stol tre titullarë dhe skuadra fiton ndaj fierakëve.

Tirana lë pas Bylisin dhe fiton me Apoloninë. Heronjtë janë Grent Halili dhe Alked Çelhaka. Dy zëvendësuesit që dje luajtën titullarë në sfidën me Apoloninë kanë vendosur fatet e ndeshjes, që nuk është se u vu asnjëherë në dyshim. Një ndeshje, e cila nuk ka pasur histori me një Apoloni që luajti vetëm 15 minutat e para të lojës dhe më pas u dorëzua totalisht. Në fakt, Tirana kishte ndryshuar totalisht nga ndeshja e fundit. Ze Maria kishte lënë në stol katër titullarë nga sfida e fundit Asion Dajën, Alvaro Bishajn, Dorian Kërçiku dhe Majkëll Ngonë. Në fushë nga minuta e parë Klisman Cake në vend të Bishajt, Daja ishte zëvendësuar me Halilin, Kërçiku me Çelhakën, ndërsa në vend të Ngosë luante Bedri Greci. Doka luante në mbrojtje, ndërsa Halili kishte marrë vendin e Albit në mesfushë. Shkurt, gjysma e skuadrës ishte ndëshkuar dhe qëndronte në stol. Braziliani kishte ndryshuar edhe skemën e lojës, me një 4-4-2 klasik, duke hequr dorë nga “4-3-3”-shi i tij. Në fillim loja ka qenë e qetë, por në minutën e tetë të sfidësës, Çelhaka godet shtyllën, pas një asisti të dhënë nga mbrojtja, ndërsa më pas portieri Çako çon topin në fundore. Rasti i dytë vjen po nga Tirana rreth minutës së 25-të me Halilin që ndërmerr një inkursion nga e djathta, pason bukur për Grecën në qendër të mbrojtjes. Ky i fundit pason te Çelhaka, i cili godet fluturimthi, por grushton Çako. Goli është pranë dhe në minutën e 27-të Tirana kalon në avantazh. Është pikërisht Grent Halili ai që shënon. Greca jep një top të bukur për Halilin djathtas zonës së sulmit. Lojtari bardheblu godet nga 13 metra dhe topi ndalet në rrjetë. Festë dhe sulmuesi ka një dedikim special për babain në tribunë. Apolonia është “fikur” dhe rastin e parë e shënon në minutën e 36-të ku Krasniqi ekzekuton një goditje dënimi, pret Lika. Gjithsesi, pjesa e parë mbyllet me një gol. Në minutën e 41-të është Sentamu që merr një top në qendër të fushës, ecën përpara, pason te Çelhaka, që e ka “lojë të fëmijësh” të shënojë në portën e Apolonisë. Pjesa e dytë nis si e para, por këtë herë Apolonia mundohet të bëjë më shumë në sulm. Krasniqi brenda zonës ka një rast të artë për gol, teksa Lika largon me këmbë topin. Brenda dy minutave, në fillim Sentamu e më pas Karabeci që godet shtyllën, janë afër golit. Edhe Halili në minutën e 68-të humbet një rast ideal për gol. Sentamut, traversa i mohon një gol të sigurt. Rastet për gol mbyllen në minutën e 86-të me një shtyllë të Dimos, por është Lika me çdo mjet që shpëton portën e tij. Përfundimisht, Tirana del nga agonia, teksa mund Apoloninë 2-0 në kryeqytet dhe largon fantazmat e ndeshjes me Bylisin. Vazhdon të jetë e para, ndonëse humbja e një jave më parë djeg jo pak. Sa për Apoloninë, ajo u mundua, po skuadër pa përkrahje kaq i ka mundësitë.

Ze Maria: Humbja më bindi për rotacionin

Tani është i qetë! Golat e Halilit dhe Çelhakës në pjesën e parë i kanë mjaftuar Tiranës, që ka mposhtur sot 2-0 Apoloninë dhe ka rinisur rrugëtimin, pas frenimit të bujshëm, me humbjen shtëpiake ndaj Bylisit në ndeshjen e shkuar. Gjithçka e thjeshtë për bardheblutë, që nuk u dukën asnjëherë në vështirësi nga Apolonia, edhe pse kjo e fundit jashtë fushe ka luajtur shumë mirë këtë sezon. Trajneri brazilian foli dje pas ndeshjes, për sfidën me Apoloninë dhe rotacionin që vendosi të bëjë, duke ulur katër titullarë në stol.

-Mirë Turtulli, por pse Daja, Kërçiku e Ngo ishin në stol sot?

Janë zgjedhje që duhet t’i bëj ndonjëherë, pasi ata që luajtën sot (dje) u stërvitën mirë këto ditë dhe pastaj luajtën mirë. Kjo do të thotë që nuk jemi një grup prej 12-13 lojtarët, por 20 lojtarësh që mund të luajnë.

-Mos ka ndonjë të dëmtuar, apo…?

Jo, nuk ishin zgjedhje fizike por taktike të bëra nga unë. Kaq e thjeshtë.

-Rrezikuat, që vendosët të bënit rotacion vetëm pas humbjes?

Sepse një skuadër kur fiton nuk ndërrohet. Vetëm kur humb ka ndryshime dhe kjo bëhet për përmirësime. Nuk do të thotë që ishte problemi te ata që nuk luajtën, por nga ana tjetër ata që luajtën bënë mirë, ndaj është koha për të treguar nivelin e kësaj skuadre. Të gjithë duhet të kenë kujdes, pasi mund të hynë dhe të dalin nga formacioni.   

-Ndryshime përfundimtare në formacion?

Nuk e di. Fituam një ndeshje sot (dje), është normale që ata që bëjnë mirë të luajnë sërish, ashtu si të tjerët luajtën 7 ndeshje radhazi. Por nëse e meritojnë të luajnë, duhet ta tregojnë gjithnjë. Nuk mbaron asgjë me mbylljen e një ndeshje, pasi unë e shoh grupin mbi të gjitha në stërvitje. Ndaj, gjithkush duhet të japë maksimumin edhe javën e ardhshme.

-Guxuat me 11-shen, por u qetësuat me dy golat?

Jam i lumtur për ata dhe skuadrën, por edhe për veten. Ata patën mundësinë që të luanin dhe ia dolën, zëvendësuan më së miri titullarët.

-Sot u luajt me dy sulmues?  

Ne kemi luajtur me 3 në fakt më herët, por jo me dy përpara. Kjo është një skemë më e thjeshtë për lojtarët, që mund ta adaptojnë në çdo moment apo episod të ndeshjes. Kemi treguar që jemi të fortë, pasi kemi lojtarë që mund të bëjnë diferencën, si Ngo apo Greca, që janë elementë që i hapin punë çdo kundërshtari.

-Bylisi fitoi sërish…

Jo, unë nuk mendoj për Bylisin. Më intereson vetëm Tirana. Gabimi i javës së shkuar, nuk do të ndodhi më. Skuadra është e përqendruar që të realizojë objektivin madhor të sezonit, që është titulli dhe ngjitja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *