“Dhimbje koke” për trajnerin Ndreu, pasi mungon një nga lojtarët kryesorë të ekipit
Pas fitores me Partizanin dhe barazimin me Kukësin, Kamza kërkon që të marrë pikë dhe në Korçë. Në fazën e parë, të besuarit e Ramadan Ndreut janë të vetmit që i kanë marrë pikë bardhekuqve. Kamza do të kërkojë minimalisht të mos dalë pa pikë nga stadium “Skënderbeu”, madje ishte vetë trajneri që pas ndeshjes me Kukësin deklaroi se në ndeshjen e radhës do të kërkonte tre pikët.
Një dëmtim i papritur i ka ndërlikuar llogaritë e stafit teknik, teksa nuk do të jetë i gatshëm për këtë ndeshje kroati Ivan Fushtar. 28-vjeçari është titullar i padiskutueshëm te kamzalinjtë, teksa ka luajtur në 9 sfida deri më tani. Vetë mbrojtësi ditën e djeshme ka postuar një foto në profilin e tij në “Facebook”, duke njoftuar se po kryente terapi. Në këto kushte trajneri Ndreu do të vendosë përkrah Kuqit brazilianin Leo Lelis, i cili këtë edicion ka luajtur vetëm 3 ndeshje. Skënderbeu është skuadra për t’u mundur këtë edicion dhe Kamza ka treguar se di të bëjë surpriza. Në Korçë do të kërkohet triumfi dhe natyrshëm nuk është çudi që drejtuesit të akordojnë ndonjë premio për këtë ndeshje. Oreksi vjen duke ngrënë, por te Kamza nuk nxitohen dhe ndeshjet i marrin një e nga një. Deri më tani kanë bërë mjaft mirë, por një rezultat pozitiv në Korçë do të ishte qershia mbi tortë.
Formacioni i mundshëm i Kamzës
Halilaj – Frashëri, Kuqi, Lelis, Idrizaj – Fukui, Arrabal, Ymeraj, Rezi – Plaku – Raçiç