Mustedanagiç: Kroacia e Spanja të frikshme, por do të guxojmë  

Shqipëria U-17 do të nisë nesër fushatën kualifikuese për Kampionatin Europian 2018, që do të zhvillohet në Angli. Si zakonisht, do të luhet një tur kualifikues, me një grup me 4 skuadra, nga të cilat dy të parat dhe disa nga të tretat më të mira do të kalojnë në Elite Round.

Shqipëria e drejtuar nga Xhemal Mustedanagiç nuk u paraqit mirë vitin e shkuar, sepse i humbi tre ndeshjet kualifikuese, ndërsa këtë vit as fatin nuk e ka pasur me vete, sepse është në një grup ferri, me Kroacinë, Spanjën dhe Lihtenshtejnin. Nëse me këtë të fundit fitorja është detyrim, me Kroacinë e Spanjën edhe barazimet do të ishin si fitore, siç e pranon trajneri Mustedanagiç, i cili ka folur sot në prag të ndeshjes së parë, nesër në Tiranë (Selman Stërmasi, ora 14.00).

Boshnjaku pranon se shorti është shumë i vështirë, por nuk e humbet optimizmin, pavarësisht se është dëmtuar edhe futbollisti i talentuar i PSV-së, Andi Koshi: “E kemi nisur keq, pasi na është dëmtuar një futbollist,  Koshi, i cili është kthyer pas, pasi nuk mund të ishte i gatshëm për ndeshje. Kemi bërë gjithçka për ta riaftësuar, por nuk ishte e mundur”.

SYNIMET – “Atmosfera në ekip është shumë e mirë, lojtarët janë të motivuar të bëjnë diçka të madhe dhe të bukur për futbollin shqiptar. Edhe unë, si gjithmonë, jamë optimist. Në grupin tonë Kroacia është favorite, pas saj Spanja. Janë dy prej ekipeve më të fortë në Europë, por do të bëjmë çmos për të dhuruar surprizën dhe të kualifikohemi sërish për në Elite Round”.

RIVALËT – “Kroacia ka shumë lojtarë nga Dinamo e Zagrebit, rreth gjysma e ekipit, dhe kanë dy-tre vite që luajnë bashkë. Kjo e ndihmon shumë Kroacinë, që prodhon gjithnjë lojtarë që më pas shkojnë në ekipe të mëdha. Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë për ne, por kemi strategjinë tonë dhe synojmë t’i marrim pikë Kroacisë ose Spanjës, të shohim cilës. Do të ishte një arritje sensacionale nëse ne u marrim pikë të dy ekipeve, por në futbollin aktual nuk mund të thuash kurrë që një ekip është më i fortë se tjetri dhe detyrimisht fiton. Ne duhet të hyjmë në fushë me dëshirë për të fituar, ndaj kujtdo. Do të luajmë edhe në sulm, por natyrisht duhet një mbrojtje e fortë, për të menduar më pas për sulmin”.

INTERESIMI I TIFOZËVE – “Nuk e kuptoj pse ka kaq pak interes në Shqipëri për kombëtaret e moshave. Në Europë nuk ndodh kështu, ka shumë interes për kombëtaren”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *