Pak ditë më parë, Lorik Cana, kapiteni i gjithë shqiptarëve dhe ai që padiskutim na ka përfaqësuar në arenën ndërkombëtare, u detyrua (shkak problemet shëndetësore) të varte këpucët në gozhdë, teksa një tjetër gjakovar ka pesë ndeshje që i mban veshur me kombëtaren e Shqipërisë… Ai quhet Eros Grezda, një emër që në Shqipëri është i ndaluar, por që në fushë është i lejuar…
Në lashtësinë greke dhe mitet e shkruara në pergamena të ndryshme, Erosi ishte Zoti i Dashurisë, Epshit dhe Dëshirës. Dhe, në këtë moment, nëse ka diçka të përbashkët mes futbollistit shqiptar dhe domethënies së emrit të tij, ajo është padiskutim dashuria që ai ngjall kur e sheh në fushë. Sot, në Zagreb, ndaj skuadrës së Dinamos, gjakovari ka realizuar një gol të mrekullueshëm, që nëse do të ishte shënuar nga Mesi ose Ronaldo, padiskutim do të kishte fituar faqet e para të gazetave më prestigjioze për nga estetika e realizuar…
https://www.youtube.com/watch?v=jIApx_ZnkjQ
Erosi është një i panjohur, por me Osijekun po tregon se e ardhmja e tij është tepër e ndritur dhe se shumë shpejt, trampolina e kërcimit në një skuadër “big” dhe në një kampionat të madh mund të bëhet reale. “Jam i lumtur për transferimin në Osijek, sepse është një hap i madh përpara në karrierën time. Skuadra është e mirë dhe e di që do të kem sukses”, ishin fjalët e tij në ditën e prezantimit te Osijeku, që besoi te djaloshi.
Ndoshta, sot Dinamo e Zagrebit mund të jetë bërë edhe më shumë pishman që nuk vendosi ta merrte, duke qenë se futbollisti gjakovar ishte pjesë e Lokomotiv Zagrebit, që është klubi satelit i Dinamos. Grezda ka realizuar golin e barazimit 1-1, por nuk është i pari ndaj ekipit të Dinamos, pasi vetëm pak muaj më parë, më 14 prill të këtij viti, do t’i shënonte në derbin Lokomotiv-Dinamo, në humbjen 1-2 të skuadrës së tij.
Dhe, ndërsa Cana iku nga skena, gjakovari tjetër është duke e fituar, me gola dhe paraqitje. Sepse, nëse Panuçi i beson që në prezantimet e tij të para në stolin kuqezi, do të thotë se te djaloshi ka parë shumë cilësi. Madje, përballë Spanjës dhe Italisë tregoi se është nga ata futbollistë që kanë personalitet, përveç teknikës.