Në çdo sport tjetër ndeshjen Teuta-Partizani do ta kishin fituar vendasit. Dominim total, një eurogol, dy të tjerë të anuluar të diskutueshëm, penallti e humbur, një mori rastesh dhe qarkullim superior topi. Por, ky është futboll dhe ka një arsye se përse është sporti më i bukur në botë. Nuk fiton gjithnjë ai që luan më mirë.
Në fund të kuqtë fituan 2-1 në Durrës dhe sigurisht që për momentin ndihen të lumtur. Nuk bënë shumë për të fituar dhe patjetër që dhe ata mendojnë se ndoshta fati ka qenë i veshur me të kuqe atë pasdite, por tri pikët ishin jetikë më shumë se kurrë. Për renditjen, për objektivat dhe mbi të gjitha për trajnerin Juliano. Nëse do kishte humbur, ndoshta do kishte nxituar për në portin e Durrësit për të marrë tragetin e radhës.
Megjithatë, vetëm një ndeshje mund të ngjajë si ringjallje, por duhet parë nëse është një rilindje. Partizani teknikisht dhe taktikisht shfaqi problemet e javëve të para, por këtë radhë të paktën kishte rifituar një element të rëndësishëm, karakterin. Duke filluar që nga ndeshja e radhës kundër Luftëtarit mund të marrim një mesazh më të qartë: kush ishte aksident, Partizani i katër javëve të para, apo Partizani i Durrësit. Një gjë është e sigurt, kampionati ka nevojë për garë dhe Partizani nëse sforcohet pak, mund ta ofrojë këtë kontribut.
Gjergj Stefa