Klarens Sedorf ka dhënë dje një intervistë të gjatë për mikrofonët e “Milan TV”-së. Të shumtë kanë qenë argumentet që janë trajtuar nga mesfushori dhe trajneri kuqezi. “Ndryshimet, herët ose vonë, duhet të vinin dhe kjo ndodh për të gjithë. Epoka Berluskoni është një e tillë e mbushur me trofe dhe suksese që do të mbeten përherë në historinë e futbollit. 30 vite janë shumë. Kur jam rikthyer si trajner te Milani ishte ende një fazë shumë e keqe në klub, pra ndryshimi ishte i pashmangshëm. Kjo ndodhi dhe tani menaxhimi i ri dhe pronarët kanë totalisht të tjera ide. Kanë ndërtuar një skuadër, tani duhet shumë punë për të rindërtuar sërish një Milan kompetitiv në Itali dhe Evropë”. Më pas Sedorf, që ka luajtur me të dyja skuadrat, ka shtuar: “Për të tilla gjëra duhet kohë, edhe pse në futbollin modern koha është gjithnjë e më e pakët. ADN-ja e Milanit nuk do të zhduket nga një ditë në tjetrën dhe shpresojmë që tifozët të ndjejnë sërish emocionet, jo vetëm duke fituar. Kam mësuar të njoh tifozët kuqezi dhe ata duan të ëndërrojnë me fitore dhe me lojë. Derbi? Ka qenë gjithnjë ndeshja më e bukur, jo vetëm në Itali, por kudo. Unë shpresoj që të fitojë Milani”.