Tre ndeshje, 2 pikë dhe 0 gola të shënuar: ky është bilanci i Prishtinës që kur e ka marrë Mirel Josa. Ish-trajneri i Tiranës duket se po përndiqet nga tersi i ngjyrave bardheblu, sepse pas zhgënjimit të tmerrshëm te Tirana, tashmë e ka nisur keq në Superligën e Kosovës, që është një kampionat mjaft i vështirë dhe Josa do të vuajë derisa të gjejë rrugën e duhur drejt rezultateve dhe lojës së bukur, me një skuadër që nuk e ka ndërtuar vetë. Sot Prishtina u mund 3-0 nga Llapi kryesues, në një supersfidë pa histori, sepse që në minutën e 24-t Llapi kryesonte 2-0 me gola nga Begolli e Namani, ndërsa në fund Bërbatovci vulosi triumfin që rikthen Llapin +4 nga Trepça ’89. Kampionët në fuqi u ndalën sot te barazimi pa gola në Gjakova me Vëllaznimin, skuadra me mbrojtjen më të mirë në Kosovë, së bashku me Llapin (vetëm 4 gola të pësuar).
Vllaznia e Pozheranit barazoi pa gola në shtëpi ndaj Lirisë së drejtuar nga Bledi Shkëmbi, në një sfidë hermetike, ku mbrojtjet ishin protagoniste. Shumë futbollistë nga Shqipëria në fushë: te Loria ka shumë titullarë të transferuar këtë verë nga Shqipëria në Prizren, ndërsa te Vllaznia luajti 45 minutat e dyta Arbër Basha, i cili u paraqit mjaft mirë, duke spikatur, aq më shumë që pati shumë dyluftime me Jetmir Sefën, një ndër mesfushorët më të mirë deri tani në Superligën e Kosovës. Fitore në shtëpi dhe ndonjë barazim tek-tuk jashtë për Lirinë, që gjithsesi është vetëm 2 pikë larg vendit të dytë dhe nëse gjen një fitore në transfertë, do të zhbllokohet dhe mund të shkojë shumë lart.