Mesfushori kalon nga fanella e titullarit kundër Maqedonisë, në të tepërt për dy ndeshjet e radhës. Nuk luan prej një muaji titullar, apo distanca e madhe problem?
Nga Anton Cicani
Kur në shtator të vitit të shkuar Xhani De Biazi ktheu në kombëtare Jahmir Hykën, ishte një vendim i duartrokitur nga të gjithë, për faktin se mesfushori është një “veteran” i kombëtares dhe një lojtar me aftësi të veçanta, teknik dhe shpërthyes, që na mungon në të majtë, duke parë edhe sezonin e keq të Lenjanit. Gjashtë ndeshje në këto kualifikuese, shumica nga minuta e parë, por transferimi në kampionatin amerikan herët a vonë do të bëhej një barrë. Shtashkurtri është lënë jashtë kombëtares për dy ndeshjet e radhës dhe arsyeja madhore mund të gjendet pikërisht te udhëtimet pa fund.
Në fund të gushtit Hyka erdhi në Shqipëri për ndeshjet kundër Lihtenshtejnit e Maqedonisë, por u paraqit një ditë me vonesë, natyrisht me lejen e Panuçit, i cili nga ana tjetër la jashtë Cikalleshin, kur ky i fundit kërkoi leje pikërisht në ditën kur duhej të ishte në Tiranë. Udhëtimi i gjatë bëri që Hyka të stërvitej pak dhe të luante vetëm ndaj Maqedonisë nga minuta e parë, ndërkohë që humbi ndeshje dhe stërvitje me klubin e vet, ku prej një muaji nuk po luan titullar.
Tani që është kthyer Lenjani në formë të mirë fizike dhe po luan rregullisht në Zvicër, duket qartë që Panuçi e ka bërë zgjedhjen e vet dhe zor se do t’i hedhë më sytë nga Amerika, diçka e pritshme, pasi gjithë trajnerët e kombëtareve europiane e kanë shumë të vështirë të grumbullojnë në kombëtare lojtarë që shkojnë në kampionatin amerikan.
HYKA – I kontaktuar nga “Sport Ekspres”, Hyka deklaron se nuk e ka të qartë pse nuk është grumbulluar, sinjal që Panuçi nuk ka komunikuar fare me të. “Nuk e di pse nuk jam në listë, të them të drejtën. Edhe fizikisht jam shumë mirë, nuk kam pasur asnjë problem fizik, edhe pse kohët e fundit nuk kam luajtur titullar, prë shkak të udhëtimeve të gjatë dhe për faktin që jemi në fund të sezonit, trajneri kërkon të menaxhojë sa më mirë skuadrën”. I pyetur në lidhje me largësinë, sërish Hyka nuk është dakord që të merret si arsye: “Nuk ka të bëjë largësia, mendoj. Për Shqipërinë nuk lodhem kurrë, e kam thënë gjithmonë, ndaj nuk e kam problem të udhëtoj nga Amerika në Shqipëri”. Asnjë polemikë, natyrisht, Hyka nuk ka qenë kurrë i tillë, por ndoshta grumbullimin e priste.