Mark Juliano dhe Frank De Bur, edhe pse kanë luajtur të dy në një epokë, fati ka bërë që të mos përballen në duelin Itali-Holandë… E megjithatë, diçka i bashkon, përveç se kanë qenë ish lojtarë dhe tani janë trajnerë futbolli. Praktikisht, edhe pse holandezi u shkarkua, motivi ishte i thjeshtë: 0 gola të shënuar nga skuadra e tij dhe vetëm humbje në kampionat. Skuadra e tij ishte Kristal Palasi, që edhe me Hoxhson vazhdon të qëndrojë në fund të tabelës së Premier League.
Për skuadrën londineze ende asnjë gëzim, si në pikë, ashtu edhe në gola të shënuar. Të paktën, te Partizani i Julianos “festohet” (edhe pse vështirë mund të quhet kështu) një barazim 0-0 ndaj Kukësit, pika e vetme në kampionat. Janë 3 gola të pësuar në 3 javë dhe asnjë i shënuar, teksa edhe Palasi s’ka shënuar, por në 6 javë ka pësuar 13 gola. Edhe Alaveshi i De Biazit mbante tabelën e 0 golave të shënuar, por e prishi “mallkimin” duke i realizuar Real Madridit. Por, ashtu si Kristal Palas, edhe Alavesh ka zero pikë, ndërsa Partizani e ka marrë 1 pikë dhe ka zhvilluar më pak javë dhe pse me skuadrën e Premier e lidh festa e golit, që ende mbetet një “mirazh”…