Trajneri i Juventusit: Derbi me Torino është i rëndësishëm për pikët. Beloti? S’i kam 100 mln, por Toro është për Champions
Të fitosh s’është norma, por përjashtimi. Gjashtë titujt e fituar radhazi kanë mësuar mirë, por Maks Alegri nuk kënaqet dhe fikson objektivat, përpara derbit të sotëm me Torinon. “Të fitosh nuk është kurrë normale, por është gjithmonë diçka e jashtëzakonshme, sepse, në fund, arrin ta bëjë këtë vetëm një skuadër. Titulli i shtatë duhet të jetë objektivi ynë kryesor. Nuk e ka arritur askush, me përjashtim të Lionit. Për të bërë një Champions të madh duhet një kampionat i madh. Jam trajner më fitues pas Lipit dhe Trapatonit me bardhezinjtë? Duhet të jenë të aftë lojtarët e mi për të mos më prishur mesataren”.
KLIMA E DERBIT – “Është një ndeshje speciale, është e rëndësishme sepse është derbi, vlen tre pikë dhe mund t’i japë vazhdimësinë pesë fitoreve të arritura radhazi. Për ne ka të njëjtën rëndësi ashtu si edhe për Toron, që është një skuadër për Champions, apo edhe konkurrente për titullin. Toro ka kompletuar skuadrën me lojtarë që kanë karakteristikat e saj. Rinkon, Ansaldi, Niang. Mihajloviç ka një grup që mund të tentojë për 6 vendet e para në renditje. Beloti dhe Ljajiç kanë cilësi të rëndësishme në nivelin teknik dhe fizik. Nuk e di nëse “Galo” vlen 100 mln euro, unë nuk kam 100 mln euro dhe nuk mund t’i shpenzoj. Por ai është një pikë referimi për Torinon dhe kombëtaren italiane. Niang? E njoh mirë që nga koha e Milanit, të rinjtë e kanë të vështirë në fillim, por kur gjejnë ekuilibrin, atëherë ngjiten shpejt. Ka bërë mirë te Milani, por duhet të gjejë ekuilibrin e tij. Është gjithsesi një blerje e rëndësishme”.
FORMACIONI– “Higuain ka besimin total të shokëve të skuadrës, tifozëve, klubit dhe trajnerit. Do të rigjejë golin, të mërkurën ka sulmuar zonën shumë më mirë se herët e tjera. Ndonjëherë mund të ndodhë që të qëndrojë jashtë, ashtu si Manxhukiç apo Dibala. Barzalji? Nesër nuk luan, do të jetë më i freskët në Champions. Matuidi? Unë kisha karakteristika të ndryshme nga të tijat. Që kur ka ardhur këtu besoj se ka thënë vetëm katër fjalë, por vrapon dhe është inteligjent, për të luajtur futboll duhet të jesh edhe pak inteligjent. Mund të ndodhë që një sulmues të qëndrojë jashtë, nëse del ndonjëri ka të tjerë, si Dagllas Kosta apo Bernardeski, që janë në formë”.